Ministri Quni, sot priti në ditën e parë të punës, zëvendësministrin e mbrojtjes nga radhët e komuniteteve jo shumicë, Muhamedali Mergjollari, pas marrjes së detyrës me vendimin e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Abdullah Hoti.
Me këtë rast, zëvendësministrit Mergjollari me bashkëpunëtorë i dëshiruan mirëseardhje Ministri i Mbrojtjes, Anton Quni, Komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, U.d. Sekretari i Përgjithshëm, Faruk Geci dhe shefi i kabinetit të Ministrit të Mbrojtjes, Jashar Ramadani.
Ministri Quni dhe gjeneral Rama e njoftuan zëvendësministrin Mergjollari me procesin e deritashëm të zhvillimit të Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së si dhe objektivat për të ardhmen.
Ministri Quni i premtoi bashkëpunim dhe bashkërendim të plotë në realizimin e detyrave dhe përgjegjësive të përbashkëta me theks të veçantë në realizimin e suksesshëm të procesit të integrimit të pjesëtarëve nga radhët e komuniteteve jo shumicë në FSK.
Zëvendësministri Mergjollari falënderoi ministrin Quni për pritjen e ngrohtë dhe u zotua se do të angazhohet me të gjitha kapacitetet e tij dhe stafit të tij në përmbushjen e objektivave të ministrisë dhe forcës.