Ministri Rrahmani në takim lamtumirës me shefen e zyrës së UNICEF-it

Prishtinë | 04 Kor 2016 | 14:25 | Nga

Ministri i Shëndetësisë Imet Rrahmani ka pritur sot në takim lamtumirës shefen e Zyrës së UNICEF-it në Kosovë, Lajla Omar Gad.

Në këtë takim, Rrahmani ka falënderuar Gad për kontributin e Zyrës së UNICEF-it në Kosovë për Ministrinë e Shëndetësisë dhe institucionet shëndetësore në hartimin e politikave dhe zbatimin e planeve që përmirësojnë shëndetin e fëmijëve dhe të adoleshentëve në Kosovë.

“Në çdo plan serioz fëmijët e kanë vendin e tyre të pazëvendësueshëm dhe meritor, ndërsa investimi në fëmijë është investim për të ardhmen. Në këtë aspekt, ne e vlerësojmë bashkëpunimin dhe ndihmën e ofruar nga UNICEF-i”, ka thënë ministri Rrahmani.

Gad nga ana e saj u shpreh falënderuese për bashkëpunimin e mirë që ka pasur me MSH-në dhe Ministrin, për të cilin tha se ka treguar zotim, përkushtim dhe lidership në çuarjen përpara të bashkëpunimit shumë të mirë.

“Unë ju shpreh zotimin e UNICEF-it për të vazhduar përkrahjen dhe bashkëpunimin me Ministrinë e Shëndetësisë”, tha Gad, duke theksuar se në mesin e shumë intervenimeve që ka bërë UNICEF-i me MSH-në, projekti i vizitave shtëpiake, pastaj realizimi i anketës së treguesve të shumëfishtë (MICS) dhe projekti për pasurimin e miellit, kanë qenë disa prej projekteve të suksesshme për avancimin e disa shërbimeve në Kosovë.

Pas katër vjet misioni në krye të Zyrës së UNICEF-it në Kosovë, Gad do ta lë Kosovën në pjesën e dytë të korrikut për të vazhduar me një mision të ri në Gjeorgji.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme