Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi gjatë ditës, në kuadër të vizitës zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka zhvilluar takim me përfaqësuesin e lartë nga Zyra për Marrëdhënie Ndërkombëtare (OIA) të Departamentit të Drejtësisë, Bruc Ohr.
Ministri Selimi fillimisht e ka falënderuar Ohr për ndihmën dhe mbështetjen e pakursyer të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhënë në çdo fazë të konsolidimit të Republikës së Kosovës.
“ShBA është aleat i përjetshëm dhe partneri më kredibil i Kosovës, andaj jemi të bekuar që si popull e shtet i kemi përqafuar idealet amerikane të lirisë dhe drejtësisë”, tha ministri Selimi.
Në këtë takim, ministri Selimi e ka informuar z. Ohr rreth çështjeve prioritare të sistemit të drejtësisë, me të arriturat në sundimin e ligjit në Kosovë, mekanizmat që ka krijuar vendi ynë në luftimin e krimit të organizuar dhe atij transnacional, si dhe për avancimin e mëtejmë të një sistemi kredibil e efikas të drejtësisë.
Në kuadër të takimit, ministri Selimi dhe zOhr kanë biseduar edhe për marrëveshjen e ekstradimit, në veçanti për rastet konkrete të personave të kërkuar nga ShBA, si dhe për mundësinë e ngritjes së kapaciteteve të Prokurorisë dhe Gjyqësorit përmes marrjes së ekspertizës së drejtpërdrejtë në ndjekje dhe gjykim të rasteve të krimit të organizuar, korrupsionit dhe terrorizmit.
Në anën tjetër z. Ohr duke vlerësuar Kosovën për të arriturat e saj, e siguroi ministrin Selimi për mbështetjen e Departamentit Amerikan të Shtetit për avancimin e mëtejmë të sistemit të drejtësisë në Kosovë.
Ohr ritheksoi se ShBA-ja është dhe do të mbetet partnere dhe përkrahëse e vazhdueshme për fuqizimin e shtetit të së drejtës dhe sundimit të ligjit në Kosovë.