“Presioni i Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj përfaqësuesve të Kosovës për të hequr taksën ndaj Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës nuk ka qenë kurrë më i madh”. Kështu ka deklaruar sot ministri i Tregtisë në Serbi, Rasim Ljajiq i cili ka theksuar se SHBA po kujdeset për vazhdimin e dialogut Kosovë-Serbi.
Ljajiq ka thënë për ‘TV Prva’, se SHBA nuk do të ndryshojë vendimin e saj për pavarësinë e Kosovës por po tregon se kujdesen për vazhdimin e dialogut dhe se presioni i tyre për të hequr taksën është më i madh sesa ai i Bashkimit Evropian.
Ai ka theksuar se BE është më e preokupuar me problemet e saja dhe nuk po merret seriozisht me rajonin, megjthëse e ka ‘gojën plotë’, transmeton lajmi.net.
Ministri serb ka shtuar se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është nën presion si nga partneri i tij i koalicionit, Isa Mustafa ashtu edhe nga prodhuesit kosovarë.
Sipas tij, heqja e pjesshme e taksës është e pamjaftueshme për të arritur atë që i duhet rajonit, përkatësisht lëvizjes së lirë të mallrave dhe njerëzve.
“Kemi humbur shumë nga taksa – 470 milionë euro. Është humbje për ekonominë tonë, veçanërisht për industrinë ushqimore, do të jetë shumë e ëvshtirë të kehthemi nëse kemi këtë atmosferë konfrontimi, konfilikti dhe këto luftëra tregtare”, ka thënë Ljajiq.
Ljajiq deklaroi se ekonomia dhe tregtia nuk do t’i zgjidhin problemet politike Kosovë-Serbi, mirëpo sipas tij është e rëndësishme që njerëzit dhe bizneset të bashkëpunojnë dhe të funksionojnë.