Ministri Tahiri: “Drejtësia 2020” do të rrisë kapacitetet e Shërbimit Korrektues

Prishtinë | 12 Nën 2018 | 15:40 | Nga Ekonomia Online

Në kuadër të zbatimit të agjendës “Drejtësia 2020”, Ministria e Drejtësisë është duke rritur kapacitetet profesionale dhe operative brenda Shërbimit Korrektues të Kosovës, përmes shtimit të numrit prej 120 oficerëve korrektues që do t’i bashkëngjiten Qendrave Korrektuese.

Kandidatët për këto pozita, dje i janë nënshtruar testit kualifikues, përmes një procesi të rregullt dhe transparent. Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka mirëpritur mbarëvajtjen e testimit me shkrim për të gjithë aplikuesit në pozitat e zyrtarit korrektues.

Ministri Tahiri konsideron se shtimi i kapaciteteve njerëzore brenda Qendrave Korrektuese është një hap i rëndësishëm në funksionimin e mirëfilltë të Shërbimit Korrektues të Kosovës, me ç ‘rast rritja e kapaciteteve njerëzore do të ndihmoj në përkushtimin që të ruhet rendi, siguria dhe të respektohen të drejtat e personave në vuajtje të dënimit.

“Angazhimi im për ta bërë SHKK-në një sistem të mirëfilltë funksionimi, krahas standardeve ndërkombëtare dhe në rang lideri në rajon dhe më gjerë, po plotësohet edhe me kapacitetet njerëzore. Në kuadër të masave të parapara në agjendën “Drejtësia 2020” përmes një gare transparente dhe të udhëhequr mbi kompetenca, ka nisur procesi i rekrutimit të 120 zyrtarëve të ri si oficer korrektues, për të mundësuar një menaxhim të mirëfilltë të Qendrave Korrektuese, duke rritur përkushtimin për marrëdhënien e qëndrueshme në mes rendit, sigurisë dhe të drejtave të personave në vuajtje të dënimit” ka theksuar ministri Tahiri.

Në konkursin e fundit të shpallur nga Shërbimi Korrektues i Kosovës, do të punësohen 60 zyrtar në Burgun e Sigurisë së Lartë në Dyz, ndërsa 60 të tjerët në Qendrën e Paraburgimit në Gjilan.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme