Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, të enjten ka nënshkruar një Udhëzim Administrativ për mënyrën dhe procedurën e shitjes së pasurive të luajtshme të sekuestruara.
Përmes një njoftimi ai ka thënë se me nënshkrimin e këtij udhëzimi, është bërë një hap tjetër në luftën kundër korrupsionit, shkruan EkonomiaOnline.
“Sot, nënshkrova Udhëzimin Administrativ për mënyrën dhe procedurën e shitjes së pasurive të luajtshme të sekuestruara”, ka thënë Tahiri.
Ai ka theksuar se “nënshkrimi i këtij Udhëzimi është një hap konkret në përcaktimin e procedurave të qarta, për mënyrën e shitjes së pasurive të luajtshme të sekuestruara, si dhe në ofrimin e mundësisë për blerjen e tyre nga ana e subjekteve të interesuara, në pajtim me kushtet dhe kriteret ligjore”.
“Ngritja e efektivitetit në administrimin profesional të pasurisë së sekuestruar dhe të konfiskuar, është e domosdoshme për të avancuar sundimin e ligjit si dhe përbën element të rëndësishëm në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit” thuhet në fund.