Ministri i Drejtësisë i Republikës së Kosovës, Abelard Tahiri, i shoqëruar nga ambasadori Valdet Sadiku, vizituan Komunën e Bujanocit, ku u takuan me kryetarin e kësaj komune, Shaip Kamberi.
Gjatë takimit, ministri Tahiri shprehu përkushtimin e tij dhe të Qeverisë së Republikës së Kosovës për të thelluar bashkëpunimin në mes institucioneve të Kosovës dhe komunave të Luginës së Preshevës, veçmas në fushat që lidhen me mirëqenien e qytetareve të kësaj zone, thueht bnë një komunikatë shtypi të MD-s.
Ministri Tahiri u zotua se Qeveria e Kosovës do të ketë qasje me aktive ndaj Luginës së Preshevës, të cilën institucionet e Kosovës do ta konkretizojnë me hapa të matshëm. Përveç kësaj, ai i inkurajoi banorët e Bujanocit që të vazhdojnë të jetojnë në vendin e tyre dhe të mos shpërngulen, sepse përkushtimi i Qeverisë së Kosovës për ta nuk do të mungojë.
Nga ana tjetër, kryetari Kamberi shprehu falënderimin e veçantë për Ministrin Tahiri me rastin e vizitës, të cilën e konsideroi si shenjë inkurajimi për të gjithë banorët e Luginës së Preshevës. Ai njoftoi Ministrin për sfidat dhe problemet me të cilat ballafaqohen qytetarët e Bujanocit dhe Luginës në përgjithësi, dhe shprehu pritjet dhe gatishmërinë e komunave të Luginës për të rritur bashkëpunimin në fushat socio-ekonomike dhe kulturore.
Tahiri takoi edhe përfaqësuesit e Këshillit Kombëtar Shqiptar me të cilët ndanë perspektivat e përbashkëta për rritjen e bashkëpunimit në fushën e zhvillimit kulturor dhe edukativ të qytetarëve të kësaj ane.
Po ashtu, Tahiri takoi edhe përfaqësuesit e subjekteve politike opozitare me të cilët diskutuan për zhvillimet politike dhe sociale të Bujanocit dhe komunave tjera të Luginës së Preshevës.