Delegacioni i Ministrisë së Mbrojtjes së Turqisë, i kryesuar nga ministri Hulusi Akar, ka mbërritur mbrëmë në Bosnje dhe Hercegovinë në kuadër të turneut ballkanik, gjatë të cilit, siç raporton Klix.ba, do të vizitojë edhe Kosovën.
Delegacioni turk është pritur në aeroportin ndërkombëtar të Sarajevës nga ministri i Mbrojtjes i Bosnjës, Sifet Podziq, transmeton Klankosova.tv.
Delegacioni turk është planifikuar të zhvillojë një takim me zyrtarë ushtarakë të Forcave të Armatosura të BiH-së gjatë vizitës. Në takim, përveç ministrit të mbrojtjes Podziq, duhet të marrë pjesë edhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Bosnjës, gjeneral kolonel Senad Masoviq.
Sipas raportimeve të mediave turke, pas takimeve atje, ministri turk i Mbrojtjes do ta vizitojë Kosovën, ku do të takohet me presidenten Vjosa Osmani, kryeministrin Albin Kurti si dhe homologun e tij kosovar, Armend Mehaj.
Raportohet se ai do të ketë takim edhe me personelin me detyrë në Kryesinë e Delegacionit Përfaqësues turk.