Ministri Vitia shkon në Tiranë, merr pjesë në Kongresin për Shëndetësi

Prishtinë | 06 Mar 2023 | 09:57 | Nga Ekonomia Online

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka shkuar në Tiranë, për të marrë pjesë në Kongresin për Shëndetësi.

Në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë bëhet e ditur se Vitia, bashkë me Ministren e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale të Shqipërisë, Ogerta Manastirliu kanë vizituar Klinkën Infektive dhe spitalin e ri të sëmundjeve të brendshme në Tiranë.

Vitia është shprehur se objekti i Klinikës Infektive mund të njihej nga jashtë, por sipas tij, jo edhe nga brenda shkaku i investimeve që e kanë transofrmuar në tërësi.

“E njofta objektin nga jashtë, por jo edhe nga brenda. Nga ana tjetër, mora lajmin që shumë nga doajenët që kam pas nderin t’i kem profesorë tashmë nuk janë më në mesin tonë, ata të cilët na kanë ndihmuar jashtëzakonisht shumë si studentë, por edhe kanë pasë një dashuri të veçantë ndaj ne shqiptarëve të Kosovës që kemi ardhur për të studiuar këtu në Tiranë”.

“Unë edhe sot me endje e kujtoj se si na kanë pritur këtu, kur na larguan nga objektet tona në regjimin e Millosheviqit dhe ngrohtësia që kemi gjetur te ju, pa dallim, ka qenë e veçantë për ne në ato kohë të vështira. Dhe, natyrisht, ajo që vazhdon të më bëj edhe më të lumtur është kur shoh pacientë nga Malësia e Gjakovës në ketë anë, e po ashtu nga Kukësi në Prizren. Kështu mund të sjellim shembuj sidomos në arsim e shëndetësi dhe kemi shumë çka i japim njëri tjetrit sepse jemi një”, tha Vitia.

Ndërsa, ministrja Manastirliu ka thënë se është kënaqësi që në vigjilje të Kongresit të Shëndetësisë që do mbahet në Tiranë, është i pranishëm ministri Vitia.

“Është mundësi e mirë për të shkëmbyer praktikat e mira të vendeve tona, por mbi të gjitha për të vlerësuar bashkëpunimin dhe vëllazërinë që ne kemi. Nuk na ka munguar kurrë, nuk do të mungojë kurrë në kohë të mira dhe në kohë të këqija, ashtu sikurse kemi bërë gjithmonë, kemi qenë pranë njeri tjetrit dhe do të vazhdojmë të jemi pranë njeri tjetrit. Ne po bashkëpunojmë dhe do vazhdojmë të bashkëpunojmë në forcimin dhe fuqizimin e sistemeve tona shëndetësore”, është shprehur Manastirliu.

Të ngjashme