Ministria e Arsimit: Greva e dëmshme, pagat e planifikuara për mësimdhënësit janë të dinjitetshme

Prishtinë | 19 Gus 2022 | 14:26 | Nga Ekonomia Online

Edhe pse ditë më parë është proceduar Ligji për Pagat, SBASHK ka shpallur grevë nga data 25 gusht. Por Ministria e Arsimit në një përgjigje për portalin rtv21.tv thonë se çdo tendencë për ta penguar fillimin e vitit të ri shkollor është e dëmshme dhe me pasoja për nxënësit. Derisa siç thonë ata projektligji i pagave parasheh paga të dinjitetshme për të gjithë mësimdhënësit.

Ministria e Arsimit refuzojë të përgjigjet në pyetjet e portalit rtv21.tv se a pritet të zhvillohet një takim me SBASHK, lidhur me grevën e shpallur. Vetëm se nga kjo ministri përsërisin:

“Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit i ka bërë të gjitha përgatitjet e duhura për fillimin e vitit të ri shkollor. Çdo tendencë për ta penguar fillimin e vitit të ri shkollor është e dëmshme dhe me pasoja sidomos për nxënësit.”

Lidhur me kërkesat e SBASHK, nga MASHTI thonë se në Projektligjin e ri për paga i cili tanimë është në diskutim paraprak, të gjitha kategoritë e punëtorëve të arsimit janë trajtuar me kujdes të veçantë.

“Në këtë Projektligj janë marrë për bazë rekomandimet e MASHTI, si dhe janë trajtuar edhe ato kategori të punëtorëve të arsimit të cilat ishin lënë anash në ligjin e shfuqizuar nga Gjykata Kushtetuese. Projektligji i ri i pagave parasheh koeficientë të dinjitetshëm për punonjësit e arsimit të të gjitha niveleve, trajtim të barabartë të mësuesve klasorë dhe mësimdhënësve lëndorë në arsimin e mesëm të ulët, shtesa në paga në bazë të kualifikimit dhe përgjegjësve menaxheriale, përcaktim të vlerës së koeficientit në bazë vjetore, transparencë të plotë të pagave në sektorin publik.”, thuhet në përgjigjen e kësaj ministrie.

Kundër ndërprerjes së procesit mësimor kanë dalë edhe Këshilli i Prindërve të Kosovës (KPK) sistemi arsimor në Kosovë, në të gjitha nivelet, duhet të kenë prioritet të padiskutueshëm interesin e nxënësve. Asnjë institucion apo organizatë nuk duhet të përdorë nxënësit për të ngritur ose shtyrë interesa dhe agjenda të caktuara dhe se të gjitha palët e interesit duhet të veprojnë duke pasur këtë në mendje.”, thuhet në njoftimin e KPK-së pas takimit që kanë mbajtur sot me Ministren e Arsimit, Arbërie Ngavci.

Në anën tjetër kryetari i SBASHK, Rrahman Jasharaj ka thënë se arsimi do të hyjë në grevë të përgjithshme nga data 24 ose 25 gusht deri në arritje të një marrëveshje me Qeverinë e Kosovës .

“Dyert i kemi të hapura për arritjen e një marrëveshjeje. Të fillohet me 100 euro mbështetje, pasi ka rritje të tmerrshme të çmimeve”, u shpreh mes tjerash Jasharaj.

Të ngjashme