Marrëveshja për Reciprocitet të Plotë për Targat e Veturave mes Kosovës dhe Serbisë, ende nuk ka filluar të zbatohet sado që një gjë e tillë është paraparë të fillojë më 15 nëntor të këtij viti.
E përgjegjësinë për një vonesë të tillë e merr vetë shteti i Kosovës. Kështu së paku ka deklaruar ministrja për Dialog, Edita Tahiri. Sipas saj, vonesat për një gjë të tillë janë krijuar nga procedurat administrative, të cilat lidhen me prodhimin e letërngjitësve. Për dështimin në fjalë ajo e ka fajësuar Ministrinë e Punëve të Brendshme, megjithatë, kjo e fundit nuk ka dhënë ndonjë sqarim.
Tahiri: Ne jemi vonuar, e kemi njoftuar edhe Brukselin
Ministrja për Dialog, Edita Tahiri, ka thënë se Kosova është ajo e cila është vonuar në zbatimin e Marrëveshjes për Reciprocitet të Automjeteve mes Kosovës dhe Serbisë.
Tahiri në një prononcim ka deklaruar se marrëveshja në fjalë do të duhej të fillonte të zbatohej më 15 nëntor.(Gazeta Zeri)