Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, që nga sot ka hapur periudhën për aplikim për disa masa mbështetëse në kuadër të Programit për Bujqësi dhe Zhvillim Rural 2018, ku kjo përkrahje përmes granteve investive do të jetë për fermerët në gjithë territorin e Kosovës.
Thirrjet për aplikim janë hapur për masën 101, përmes së cilës përkrahen investimet në asetet fizike në ekonomitë bujqësore në disa sektor të bujqësisë, masën 103 përmes së cilës përkrahen investimet në asetet fizike në përpunimin dhe tregtimin e prodhimeve bujqësore, për masën 302, përmes së cilës përkrahen investimet për diversifikimin e fermave dhe zhvillimin e bizneseve, për masën 303, përmes të cilës do të përkrahet përgatitja dhe zbatimi i strategjive të zhvillimit lokal- Qasja Leader- për Grupet Lokale të Veprimit – të përzgjedhura, si dhe masën për ujitjen e tokave bujqësore.
Investimet e ministrisë përmes Programit për Bujqësi dhe Zhvillim Rural 2018, arrijnë vlerën prej 26 milionë euro, ndërsa vetëm për masat e shpallura sot investimet do të arrijnë në 19 milionë euro, ndërkaq masat tjera mbështetëse do të shpallen në ditët në vazhdim.
Në programin e sivjetshëm, po ashtu janë zgjeruar mundësitë e investimeve, duke sjellë kështu edhe shumë risi në masat mbështetëse për sektor të ndryshëm bujqësor.
Afati për aplikim për masat e shpallura më 19 mars 2018 do të zgjasë deri më 30 prill 2018.
Gjatë periudhës për aplikim, fermerët dhe agrobizneset për të gjitha informatat lidhur me procedurat e aplikimit, kriteret e vlerësimit mund të informohen në detaje në ueb faqen e ministrisë www.mbpzhr-ks.net, si dhe në ueb faqen e Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë www.azhb-ks.net.
Ndryshe, gjatë muajit shkurt, MBPZhR-ja ka hapur fazën e aplikimit edhe për subvencione, e cila vazhdon të jetë e hapur deri më 31 mars 2018, ku vlera e përkrahjes për Programin për Pagesa Direkte –subvencione sivjet arrinë vlerën prej 25 milionë euro.