Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR) në bashkëpunim me Korporatën Ndërkombëtare Financiare (IFC), anëtare e grupit të Bankës Botërore, Projekti për financimin e bujqësisë në Evropë dhe Azi Qendrore, kanë prezantuar për herë të parë në Kosovë projektin e produkteve të sigurimit bujqësor dhe mbrojtjen e fermerëve nga rreziqet e shkaktuara nga kushtet atmosferike, raporton Ekonomia Online.
Disponimi në sigurim bujqësor mundëson besim në kredi dhënie bujqësore sepse fermerët mund t’i kthejnë kreditë e tyre në rast të ngjarjeve të pafavorshme të motit që ndikojnë në zvogëlimin e renditimit të tyre.
Ministrja e Bujqësisë, Diana Zivic, tha se ministria do t’i mbulojë 50 për qind të shpenzimeve për fermerët në rast të dëmeve nga kushtet atmosferike.
“Ky sistem do t’i ndihmojë fermerët për tu shmangur kushteve atmosferike. Ministria do t’i mbulojë 50 për qind të shpenzimeve. Në 2016, Kosova është përballë me kushte atmosferike të rënda të cilat kanë shkaktuar dëme. Jam e lumtur që sot po e lansojmë këtë projekt që do t’i mbrojë fermerët. Janë licencuar 6 produkte. Ministria ka arritur dhe do të mbulojë 50 për qind të sigurimeve të bujqësisë. Ju falënderoj edhe një herë për bashkëpunimin e atyre që na kanë bërë të lansojmë këtë projekt”, ka thënë ajo.
Ambasadori i Austrisë, Gernot Pfandler, tha se përmes këtij projekti dhe mbështetjes që marrin fermerët rritet edhe besueshmëria në investim në bujqësi.
Megjithatë, ai thotë se Kosova mbetet shumë mbrapa niveleve evropiane.
“Faleminderit shumë, është rast jashtëzakonisht i mirë dhe me vjen mirë që Austria ka ndikim në zhvillimin e Kosovës e cila ka kapacitet. Më shumë se 60 për qind e popullsisë jetojnë në zona rurale dhe 30 për qind punojnë në bujqësi. Kosova mbetet shumë mbrapa niveleve evropiane. Ndryshmet në resurset ujore shkaktojnë dëme të mëdha e ky projekt ka një rol kyç përmes së cilës rritë besueshmërinë në investim në bujqësi. 2 vite punë pa ndërprerje na kanë bërë që sot ta lansojmë këtë projekt”, tha ai, raporton EO.
Lulzim Ismaili, Zv. Guvernator i Bankës Qendrore të Kosovës, tha se ky sektor duhet të zhvillohet dhe njëkohësisht t’i sigurohet mbështetje institucionale.
“Tregu i sigurimeve në Kosovë është i vogël, 177 milionë euro që përbën vetëm 3 për qind që është e vogël. Në funksion të sigurimit, BQK-ja punon me aq sa mundet. BQK-ja në vazhdimësi njofton qytetarët, vazhdimisht për të ngritur vetëdijesimin e qytetarëve. Sektori i sigurimeve ka shënuar rritje për kundër se kostoja ishte e vogël. Duke marr parasysh këtë, ky sektor duhet të zhvillohet dhe duhet t’i sigurohet mbështetje institucionale”, tha Ismaili.
Ambasadori i Hungarisë, Laszlo Markusz, tha se Hungaria ka ndarë 60.2 milionë euro për skemën kreditore për Kosovën.
“Hungaria është shteti ndër të parat që njohu Kosovën. Atje ka student kosovar që studiojnë bujqësinë, këtë vit do të vijnë edhe 50 tjerë. Çdo vit vijnë 3 deri 4 ligjërues nga Hungaria për të ligjëruar në Kosovë. Vitin e kaluar kemi mbjellë 50 fidanë të vishnjës, ka kompani që negociojnë për të hapur fabrika të mjeteve të bujqësisë. Kemi ndarë 60. 2 milionë euro për skemë kreditore për Kosovën”, tha ai.
Leah Soroka, menaxhere e Projektit të IFC, ka treguar për suksesin e saj si fermere. Ajo thotë se bujqësia në Kosovë tani e tutje do të zhvillohet më mirë.
“Edhe unë vet jam fermere, mbaj në mend se në Kanada morëm sigurim për fermën tonë dhe ajo që ishte shumë e vogël tashmë është bërë një firmë e madhe dhe kam kënaqësinë që një gjë e tillë po bëhet edhe në Kosovë. Ju tani keni përmbushur një kërkesë të BE-së dhe tashmë bujqësia në Kosovë do të zhvillohet më mirë. Fermerët janë hua marrës me të mirë sepse fillojnë 25 vjeç dhe punojnë deri në 80 vjeç dhe kanë provojë pune rreth 60 vjet”, tha ajo.