Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Kapllan Halimi ka marrë pjesë sot në konferencën me temën “Ndërtimi i një treguesi gjeografik për djathin e Sharrit”, e cila është organizuar nga Ambasada e Francës në Kosovë në bashkëpunim me Ministrinë e Bujqësisë të Francës, si dhe nga organizata ndërkombëtare për bujqësinë në zonën e Mesdheut “CIHEAM-IAMM” dhe Instituti Kosovar i Pronësisë Intelektuale, e që është mbajtur në hotel “Nartel” në Prishtinë. Pjesëmarrës në këtë konferencë ishte edhe ambasadori i Francës në Kosovë, Didier Chabert, ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani, si dhe përfaqësues të organizatës “CIHEAM-IAMM” dhe IKPI-së.
Me këtë rast, Sekretari i MBPZHR-së, Kapllan Halimi, ka vlerësuar organizimin e kësaj konference dhe ka thënë se mbrojtja e produkteve blegtorale dhe mbështetja e tyre në vazhdimësi po ndikon në rritjen e prodhimtarisë dhe cilësisë së këtyre prodhimeve, duke i bërë ato konkurrente edhe në tregun e huaj. Krahas kësaj, ai ka treguar edhe për mbështetjen e ministrisë për sektorin e qumështit, duke përfshirë këtu edhe prodhuesit e djathit në vend, duke shtuar se mbështetja e MBPZHR-së do të rritet nga viti në vit, si përmes granave investive, ashtu edhe përmes subvencioneve.
Ndryshe, gjatë kësaj konference janë diskutuar edhe çështjet strategjike kryesore që duhet të bëhen për të mbrojtur djathin e Sharrit përmes një treguesi gjeografik dhe në këtë mënyrë të promovohet bujqësia baritore dhe zhvillimi rural në këtë rajon.