Në prag të pushimeve verore, Ministra e Diasporës iu bën apel të gjithë bashkatdhetarëve që të informohen paraprakisht nga Ministria e Punëve të Brendshme, përkatësisht Qendrën kombëtare për menaxhimit kufitar rreth kolonave në kufij.
Sipas MeD-së, informacioni paraprak ua mënjanon kolonat e gjata nëpër pikat kufitare.
“Meqë tash është koha e pushimeve, kur bashkatdhetarët vijnë në atdhe, Ministria e Diasporës u rekomandon që paraprakisht, para se ta marrin rrugën për në Kosovë, ta konsultojnë vebfaqen e Ministrisë së Punëve të Brendshme, përkatësisht Qendrën kombëtare të menaxhimit kufitar, e cila për çdo ditë pasqyron situatën në pikat kufitare, duke treguar edhe për kohën e pritjes”, thuhet në njoftim.
Duke konsultuar këtë faqe, bashkatdhetarët sipas MeD-së, do të kenë mundësi të kalojnë aty ku e kanë më lehtë dhe ku nuk krijohet kolonë e gjatë pritjeje.
“Për shkak të punimeve në terminalin e ri, por edhe për shkak të përqendrimit që ndodh në Merdare gjatë ardhjes së mërgimtarëve, ajo pikë kufitare mund të jetë më problematikja sa u përket pritjeve, andaj Ministria e Diasporës, në konsultim me Policinë e Kosovës, rekomandon që, aq sa ka mundësi, të shmanget ajo pikë dhe të shfrytëzohen pikat e tjera kufitare”, thuhet në njoftim.