Ministria e Financave për tre vjet radhazi ka dështuar të realizojë projektin për ndërtimin e objektit të përbashkët për Agjencinë Tatimore të Kosovës (ATK) dhe Doganën e Kosovës në kryeqytet.
Edhe pse me Ligjin për buxhetin e vitit 2016 ishin ndarë mbi 2 milionë e 757 mijë euro, ato janë bartur nga viti në vit dhe janë zvogëluar, ndërsa objekti nuk është ndërtuar fare. Këtë vit për këtë objekt janë ndarë vetëm gjysmë milioni euro, por ato nuk janë shfrytëzuar fare gjatë periudhës janar-shtator.
Ndërtimi i këtij objekti ishte planifikuar bashkë me themelimin e Agjencisë së të Hyrave të Kosovës, e cila do të ishte bashkim i ATK-së dhe Doganës.
Por këto dy projekte nuk janë realizuar fare. Derisa bashkimi i këtyre dy institucioneve ka mbetur peng i projektligjit që rregullon këtë çështje, i cili nuk është miratuar ende as nga Qeveria e as nga Kuvendi, projekti tjetër për ndërtimin e objektit, edhe pse janë ndarë mjetet, ende nuk ka filluar.