Gjashtëdhjetë e katër milionë euro ka qenë buxhetit i ndarë për ministrinë e Infrastrukturës dhe Transportit (MIT) për vitin 2019. Kjo ministri ka harxhuar 65 për qind të buxhetit, ose 41 milionë e 600 mijë euro.
Zëvendësministri në detyrë, Rexhep Kadriu i tha Ekonomia Online se pjesa tjetër do të shpenzohet deri në fund të vitit.
Kjo ngase sipas tij, faza e dytë e implementimit të projekteve përmban koston me të madhe.
“Në buxhet i kemi pasur 64 milionë euro të dedikuar nga Ministria e Financave për Ministrinë e Infrastrukturës, deri tani kemi arritur të harxhojmë 65 për qind”.
“Faza e dytë e implementimit të projekteve ka kosto më të madhe sepse është koha kur të gjitha rrugët asfaltohen dhe kap shumën me të madhe, dhe shpresoj që në fund të vitit ne buxhetin e planifikuar ta harxhojmë”, tha Kadriu.
Kadriu ka theksuar se nuk kanë hasur në asnjë problem, pavarësisht mosfunksionimit të qeverisë në realizimin e projekteve.
“Të gjitha projektet të cilat kanë filluar më herët, kemi edhe projekte të cilat po fillojnë, ne punojmë në bazë të ligjit të buxhetit. Kështu që të gjitha projektet të cilat janë në kuadër të kostos buxhetore janë shpallur”.
“Kemi projekte të cilat janë në fazë të nënshkrimit të kontratave, pavarësisht dorëheqjes së kryeministrit, projektet po vazhdojnë”.
Ai ka sqaruar se punimet në ndërtimin e autostradës së Gjilanit e atë të Mitrovicë janë duke vazhduar pa probleme, por edhe mikëqyrja e projekteve.
“Autostrada e Gjilanit është duke punuar me intensitet të shtuar, si dhe autostrada për Mitrovicë e cila është duke punuar, Dollc në Gjakovë si dhe të gjitha projektet e tjera të cilat janë të kontraktuar si dhe ura në dalje të Prishtinës në Veternik”.
“Është duke punuar, organet mbikëqyrëse janë në teren si dhe unë në shikim të punëve. Nuk kemi problem në vazhdimësi të projekteve”.
Dorëheqja e Haradinjat, thotë Kadriu pamundëson nisjen e projekteve të reja, raporton Ekonomia Online.
“Probleme mund me pas, nëse dëshirojmë ndonjë projekt të ri të financojmë”.
Kadriu, ka deklaruar bindshëm se Qeveria e ardhshme do të drejtohet përsëri nga Ramush Haradinaj.