Ministria serbe refuzon kërkesën e BIRN-it për informacion mbi blerësit e mundshëm të municioneve të prodhuara në fabrikën “Belom” në vitin 2022 – një lloj i plumbave të konfiskuar nga Policia e Kosovës pas sulmit të 24 shtatorit në Banjskë – duke përmendur ‘arsyet e sigurisë’.
Ministria e Tregtisë së Brendshme dhe të Jashtme të Serbisë ka refuzuar kërkesën e BIRN për qasje në informacion në lidhje me kompanitë e përfshira në blerjen ose eksportimin e municioneve 7.62 x 39 mm për pushkë, të prodhuara në vitin 2022 në fabrikën serbe të armëve “Belom”.
Ky lloj armatimi është përdorur nga grupi i armatosur serb gjatë sulmit në Banjskë më 24 shtator, i cili rezultoi në vrasjen e një polici të Kosovës.
Ministria citoi arsye ekonomike dhe sigurie për mosdorëzimin e informacionit.
“Dorëzimi i të dhënave të kërkuara do të krijonte vështirësi për interesat legjitime ekonomike të Republikës së Serbisë dhe proceset ekonomike në vend” – thuhet në reagimin e ministrisë të hënën.
“Në kontekstin e përmendur, sistemi ekonomik i Republikës së Serbisë (politika fiskale, monetare, devizore etj.) është gjithashtu nënsistem i sistemit të sigurisë kombëtare, për çka dhënia e të dhënave të kërkuara do të kërcënonte sigurinë dhe interesat publike të Republikës së Serbisë” – thuhet në deklaratë.
Kjo është hera e parë që ministria refuzon kërkesën e BIRN në lidhje me eksportet e armëve.
Një hetim i BIRN tregoi se një pjesë e armëve të sekuestruara nga të armatosurit serbë në veri të Kosovës muajin e kaluar kaloi nëpër duart e shtetit serb në një moment gjatë pesë viteve të fundit, duke përfshirë plumba 7.62×39 mm, një pushkë e zakonshme sulmi, e etiketuar qartë me vitin e prodhimit 2022.
Shenjat dhe pozicioni i tyre në plumbat e konfiskuar nga Policia e Kosovës korrespondojnë me ato të fishekëve të kalibrit të njëjtë të reklamuara në faqen zyrtare të “Belom”, shtesa më e re në industrinë e armëve të Serbisë, e regjistruar në regjistrin e bizneseve të Serbisë në vitin 2016.
Pronari i saj përfundimtar është gjiganti shtetëror i armëve “Yugoimport SDPR”, ndërsa fabrika përdor pajisje dhe makineri të blera nga prodhuesi belg i makinerive NLC në një marrëveshje të raportuar më parë nga BIRN dhe që, sipas auditorëve të KPMG, ishte në dëm të taksapaguesve serbë.
Makineria e blerë nga NLC është lloji i përdorur për prodhimin e fishekëve 7.62×39 mm, që ishte lloji i përdorur nga grupi i armatosur i Millan Radoiçiqit në Banjskë.
BIRN i paraqiti Ministrisë një kërkesë për qasje në informacion, duke pyetur për eksportin e municionit “Belom” të këtij lloji, të prodhuar në vitin 2022, për të identifikuar blerësit e mundshëm.
Një hulumtim i BIRN tregoi gjithashtu se mortaja dhe granatahedhës të sekuestruara nga Policia e Kosovës kaluan nëpër qendrat e mirëmbajtjes shtetërore serbe në vitet 2018 dhe 2021.
Ministria e Mbrojtjes e Serbisë gjithashtu nuk iu përgjigj asnjë pyetjeje të BIRN-it për këtë çështje.
Serbia mohon përfshirjen në sulmin e Banjskës në veri të Kosovës.
Millan Radoiçiq, atëherë nënkryetari i Listës Serbe, një parti serbe e Kosovës e lidhur me Partinë Progresive në pushtet të Serbisë, mori përgjegjësinë për sulmin. Megjithatë, çështja se si grupi i tij siguronte armë të prodhuara së fundmi në fabrikat serbe të armëve mbeti e hapur.