Ushtruesi i detyrës së ministrit të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, ka nënshkruar memorandum bashkëpunimi me kryetarin e Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi.
Ky bashkëpunim parasheh bashkëfinancim ne projektin e kanalizimit në fshatrat Brezhnicë dhe Kozharicë.
Sipas Matoshit, projekti do të jetë dy vjeçar dhe për këtë vit do të ndahen 100 mijë euro.
E njëjta shumë pritet të ndahet edhe për fillimin tjetër mirëpo për shkak se është e pamjaftueshme do të gjenden edhe mundësi të tjera të financimit.
“Ditën kur Obiliqi do të jetë në rregull, gjithë vendi jonë do të jetë në një vend më të pasur dhe me kushte më të mira. Kjo është një nga përpjekjet e përbashkëta për me i përmirësuar kushtet. Ministria e Mjedisit beson që ky projekt ani pse që po fillon në një periudhë jo të volitshme do të arrij të realizohet në mënyrën më të mirë të mundshme”.
“100 mijë euro për këtë vit 100 mijë euro për vitin tjetër e të cilat u dakorduam që nuk janë të mjaftueshme por do të gjejmë edhe rrugë të tjera”, tha Matoshi.
Matoshi tha se nga kreu i Obiliqit ka marrë mbështetje edhe për aksionin “ Ta pastrojmë Kosovën” që do të fillojë nga 15 shtatori.
“Biseduam edhe për aksionin “Ta pastrojmë Kosovën” dhe morëm premtimin që komuna do të jetë mbështetëse e fuqishme e këtij aksioni”, tha Matoshi
Se do të realizojnë këtë projekt në mënyrën më të mirë të mundshme dhe sa më shpejtë, premtoi edhe kryetari i komunës, Xhafer Gashi.
“Ne do të ia dalim të realizojmë këtë pjesë të projekt këtë vit që kjo çështje të vazhdoj edhe në vitin tjetër”, raporton Ekonomia Online.