Ministria për Zhvillim Rajonal (MZhR) organizoi një takim me kryetarët e Komunave të Kosovës, me qëllim të informimit lidhur me Programin për Zhvillim Rajonal dhe mundësitë e zhvillimit socio-ekonomik rajonal.
Ministri i MZhR-së, Rasim Demiri, tha se ky program iu dedikohet komunave të cilat do të ndikojnë në zhvillimin socio-ekonomik të vendit.
“Si ministri e re, MZhR-ja ka punuar në këta tre muaj në funksionalizimin e ministrisë dhe hartimin e planit për vitin 2018. MZhR-ja në mandatin që ka për hartimin e politikave do ta përcjell në qeveri koncept-dokumentin për zhvillim rajonal”, tha Demiri, raporton Ekonomia Online.
Sipas Demirit, MZhR-ja do të përgatisë analiza për monitorimin e zhvillimit socio-ekonomik të balancuar. “MZhR-ja do të jetë e gatshme për bashkëpunim dhe përkrahje të komunave”.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili mori pjesë në këtë takim, kërkoi nga kryetarëve të komunave që të hartojnë projekte të arsyeshme, përmes të cilat mund të konkurrojnë për marrjen e granteve me Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (EBRD).
“Te ndarjet buxhetore, i dini kriteret që janë marrë në të kaluarën për ndarje buxhetore. Vullneti politik ka nisur të përkrahet. Përveç asaj që menaxhoni si buxhet, ka ndikime të ju përmes projekteve qe vijnë nga ministria. Komuna operon me buxhetin e vet, me të hyra vetanake, dhe mund të jeni përfitues të projekteve nga ministritë në komunën e juaj”, deklaroi Haradinaj.
Ai tha se MZhR-ja si një ministri e re nuk i ka pasure të definuara krejt shumat buxhetore. Por, kreu i Qeverisë porositi kryetarët e Komunave që të përgatisin projekte me “arsyeshmëri të lartë, që të mund t’iu përgjigjemi me shpejt”.
Haradinaj tregoi se EBRD-ja ka ofruar investime në infrastrukturë në Kosovë. “Nëse keni projekte deri te java e parë e shkurtit, projekt që ka arsyeshmëri, duhet t’ia propozoni Qeverisë, që Qeveria pastaj t’ia propozojë EBRD-së. Do të keni grant dhe nuk do ta harxhoni buxhetin e juaj”.
Zv.ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), Beqir Fejzullahu, tha se kjo ministri mbështet komunat në realizimin e projekteve të tyre që kanë të bëjnë me infrastrukturën rrugore, rrjetet e kanalizimit.
Duke folur për Programin për Zhvillim Rajonal, Fejzullahu tha se ky program është një input i madh dhe cilësor ndërmjet institucioneve në nivelit qendror dhe atij lokal. “Ky program do të jetë shtyllë për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe mirëqenie”.
Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Naim Ismaili, bëri apel që qeveria të ndajë më shumë buxhet për Ministrinë e Zhvillimit Rajonal sepse sipas tij fondit i lansuar i kësaj ministrie nuk është aq i madh.
Ismaili, i cili është kryetar i Komunës së Shtimes, tha se komunat, deri më tani kanë punuar me MAPL-në dhe Ministrinë e Infrastrukturës për projekte më të mëdha infrastrukturore. “Por, shumë aktivitete tona kanë qenë jo mirë të sqaruara mes ministrive të linjës”, tha ai.
Tjetër mundësi që komunat të përfitojnë fonde, sipas Ismailit, është dhe përmes Instrumentit të Para-Anëtarësimit (IPA).