Ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj ka mbajtur takim me përfaqësuesit e UNOPS, ku ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me këtë Zyrë lidhur me aktivitete që kanë të bëjnë me menaxhimin e Covid-19, raporton Ekonomia Online
Zemaj tha se ky është një projekt emergjent për menaxhimin e pandemisë.
“Sot e nënshkruam një marrëveshje të rëndësishme për të ndihmuar në aktivitetet e prokurimit ndërkombëtar. Ministria e Shëndetësisë ka nënshkruar këtë marrëveshje mes dy institucioneve pas aprovimit nga Banka Botërore. Ky është një projekt emergjent për menaxhimin e pandemisë”, tha ai.
“Është vendosur që prokurimi të bëhet përmes agjencive të prokurimit ndërkombëtar. Parashihet prokurimi i pajisjeve mjekësore për menaxhimin e pandemisë si pajisje për stafin shëndetësor. Përfitues do të jenë qendrat e mjekësisë familjare e spitalet e përgjithshme. Marrëveshja përfshin një vlerë prej 8 milionë euro pagesë që do të bëhet me avanc”, shtoi Zemaj.
Shefi i Zyrës së UNOPS, Brendan Krienan tha se do të vazhdojnë përkrahjen për qytetarët e Kosovës.
“Është me rëndësi të jemi këtu e të tregoj për përkrahjen tonë e cila do të vazhdojë për qytetarët e Kosovës. Kjo është një çështje kritike ndaj pandemisë”, tha ai.