Ministria e Mbrojtjes së Serbisë ka mohuar akuzat e bëra nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, se në disa poligone ushtarake po stërviten pjesëtarë të grupit që sulmuan Policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator.
“Është gënjeshtër dhe absurditet i plotë që terrenet stërvitore të Forcave të Armatosura të Serbisë po përdoren për stërvitjet e ndonjë njësie, me përjashtim të njësive të Forcave të Armatosura të Serbisë dhe herë pas here edhe të Ministrisë së Punëve të Brendshme”, tha kjo ministri, duke hedhur poshtë po ashtu se ka plane për sulme në territorin e Kosovës.
Më herët gjatë 23 dhjetorit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi se Millan Radoiçiq, dhe siç tha, grupi i tij, po përgatiten të kryejnë sulme të reja ndaj Kosovës.
Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, ka marrë përgjegjësinë për sulmin në Banjskë, ku u vra një polic i Kosovës. Gjatë përleshjeve që pasuan më 24 shtator, u vranë edhe tre sulmues serbë. Kosova e fajëson për sulmin Serbinë, por Beogradi mohon çdo përfshirje.