Armend Mehajt i ishte refuzuar aplikimi për një pozitë publike të punës në Komunën e Askerit, në Norvegji.
40-vjeçari, i cili të hënën u zgjodh ministër i Mbrojtjes në Qeverinë Kurti 2, sipas një raportimi të gazetës norvegjeze Budstikka më 2015, po atë vit kishte konkurruar për të zënë pozitën e drejtorit të sektorit të arsimit në Asker, komunë në perëndim të Norvegjisë.
Megjithatë, aplikimi i tij për një pozitë në administratën publike të kësaj komune ishte refuzuar.
Siç raporton Budstikka, ai nuk ishte pranuar në punë. Vendin e punës e kishte fituar një 52-vjeçar norvegjez, përcjell Gazeta Insajderi.
Pozita, për të cilën kishte aplikuar Armend Mehaj, asokohe në moshën 35-vjeçare, kishte të bënte me një institucion të Komunës së Askerit i cili ofron kujdes, mbikëqyrje dhe arsimim të fëmijëve. Përveç Mehajt, për këtë pozitë pune kishin aplikuar edhe 13 persona të tjerë.
Rreth pesë vite pasi iu mohua një vend pune në administratën norvegjeze, Mehaj u “shpërblye” me një post ministror në Kosovë nga Albin Kurti, kryeministri i ri i vendit. Ai u zgjodh ministër i Mbrojtjes.
Në ceremoninë e pranim-dorëzimit të detyrës të martën, Mehaj u shpreh se ka lënë familjen dhe punën në Norvegji “t’i shërbej vendit”.
“Do ta avancojmë Forcën e Sigurisë së Kosovës”, u shpreh Mehaj, i cili në të kaluarën kishte qenë pjesë e Ushtrisë së Norvegjisë.
Mehaj i ishte bashkuar forcave të armatosura norvegjeze qysh në vitin 1999, për të shërbyer më pas në misione të ndryshme paqeruajtëse si në Kosovë, Irak, Afganistan, Çad dhe Afrikën Qendrore.