Ministrja Ahmetaj në vizitë zyrtare në Tiranë

Prishtinë | 01 Mar 2017 | 12:24 | Nga

Ministrja e Integrimit Evropian, Mimoza Ahmetaj realizoi takime të ndara kurtuazie në Tiranë me, Ministrin e Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati dhe homologen e saj Klajda Gjosha.

Gjatë takimit ministrat diskutuan ambientin politik në kuadër të BE-së dhe zhvillimet e fundit politike në Kosovë dhe Shqipëri, përvojën e Shqipërisë në zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit dhe shfrytëzimin e fondeve të BE-së për financimin e reformave të parapara me agjendën evropiane.

Në takim me Ministrin Bushati, temë e diskutimit ishin zhvillimet aktuale në dy vendet tona, respektivisht avancimi me procesin e integrimit evropian. Te dy ministrat u pajtuan që të rritet koordinimi ndërmjet dy institucioneve tona si për të avancuar me implementimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit ashtu edhe për të ecur përpara me agjendat evropiane të vendeve tona.

Ndërsa në takim me Ministren Gjosha, u diskutua koordinimi ndërinstitucional për zbatimin e MSA-së, procesin e përafrimit dhe përkthimit të legjislacionit, si dhe programimin e fondeve te BE-se për të përkrahur reformat në kuadër të procesit integrues.

“Shqipëria ka bërë një progres të shkëlqyeshëm që nga fillimi i procesit të integrimit Evropian, negocimit të MSA-së, përmbushjes së kritereve për statusin e kandidatit dhe tani gjendet pak kohë para nisjes së negociatave. Përvoja e krijuar në gjitha nivelet e institucioneve shqiptare është përvojë të cilën dëshirojmë ta shfrytëzojmë për të ndihmuar përpjekjet e Kosovës në procesin e integrimit Evropian. Po ashtu, Republika e Kosovës është fare pranë Liberalizimit të Vizave. Në këtë drejtim përvoja e Shqipërisë në menaxhimin e procesit pas përfitimit të Liberalizimit të Vizave do të jetë e rëndësishme për institucionet e Kosovës”, ka thënë Ahmetaj.

Ministrja Gjosha nga ana e saj tha se “dua të theksoj se Kosova dhe Shqipëria janë në faza të ndryshme të procesit të integrimit dhe nga ana tjetër janë zotuar të jenë bashkë në këtë proces. Progresi i të dy vendeve është i qartë dhe i dukshëm.  Ato kanë çfarë t’i ofrojnë njëra-tjetrës në ekspertizë dhe legjislacionin përkthyer. Është e rëndësishme që vendet tona të  bëjnë hapa përpara ndaj ky bashkëpunim duhet të intensifikohet edhe më tej”.

Po ashtu, ministrja Ahmetaj dhe ministrja Gjosha hapën takimin e Komisionit të Përbashkët Teknik ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë për Përkthimin e Legjislacionit, i cili ka për qëllim koordinimin e aktiviteteve ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë për të siguruar që legjislacioni i BE-së i përkthyer në Shqipëri dhe Kosovë ka një gjuhë unike juridike me qëllim të harmonizimit të legjislacionit tonë nacional.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme