Ministrja për Evropën dhe Kushtetutën në kancelarinë austriake, Karoline Edtstadler, ka thënë se është koha që përfundimisht të liberalizohen vizat për Kosovën, pasi 95 kriteret e kërkuara nga BE-ja janë plotësuar.
Edstadler këto deklarata i ka bërë pas takimit me kryediplomaten kosovare, Donika Gërvalla.
“Një bashkëbisedim i mirë me zëvendëskryeministren e Kosovës, Donika Gërvalla. Dialogu Prishtinë-Beograd është kyç jo vetëm për stabilitetin e rajonit por edhe për perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor. Shpresoj për përparim të shpejtë në çështjet me rëndësi praktike për qytetarët në të dy shtetet në mënyrë që të ndërtohet besimi reciprok”, ka thënë ajo.
Tutje ministrja austriake është shprehur se ka ardhur koha që përfundimisht Kosovës t’i hiqet regjimi i vizave.
“Kosova është vendi i fundit në Ballkan të cilës i kërkohen vizat. Kosova ka përmbushur 95 kriteret për liberalizim të vizave, dhe Parlamenti Evropian vazhdimisht është deklaruar në favor të liberalizimit të vizave. Është koha përfundimtare që të realizohet liberalizimi i vizave për Kosovën”, ka thënë ajo.