Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, ka nënshkruar Rregulloren për Kompetencat, Autorizimet dhe Procedurat e Inspektimit dhe të Ankesave të Inspektoratit të Trashëgimisë Kulturore (ITK), në kuadër të plotësimit të infrastrukturës ligjore të këtij institucioni të trashëgimisë kulturore.
Rregullorja në fjalë përpos që përcakton kompetencat dhe autorizimit e Inspektoratit, ajo rregullon edhe të drejtën e ankimit në rast të vendimeve të caktuara të institucionit në fjalë. Ndër të tjera rregullorja përcakton përbërjen dhe funksionimin e Inspektoratit si shërbim përbrenda MKRS-së, kompetencat e drejtorit të ITK-së, detyrat dhe përgjegjësitë e inspektorëve të trashëgimisë, procedurat dhe veprimet e ITK-së në zonat e mbrojtura të aseteve, inicimin e procedurave të inspektimit, caktimin e inspektorit, vizitat inspektuese, procesverbalin e inspektimit, zbatimin e vendimit, të drejtën e ankimit dhe një varg çështjes tjera.
Me këtë rast ministrja Dumoshi, tha se që nga themelimin e këtij institucioni në vitin 2018, ka pasur mangësi të kornizës ligjore dhe me nënshkrimin e këtij akti normativ po definohen saktë kompetencat e ITK-së.
“Paqartësia e kompetencave ndërmjet institucioneve të trashëgimisë kulturore, Inspektoratit të Trashëgimisë Kulturore dhe Drejtorive të Inspektoratit dhe të Urbanizmit në Komuna tash e tutje do të jenë të qarta pasi rregullorja që është nënshkruar i saktëson këto aspekte. Si ministre ndjehem mirë që një institucioni kaq të rëndësishëm si ITK-ja po ia plotësojmë rregullativën ligjore sepse në mungesë të ligjit sekondar ka pasur mungesë të kryerjes së inspektimeve në teren. Madje, me kjo rregullore do të mundësojë edhe një koordinim më të madh ndërinstitucional”, u shpreh ndër të tjera ministrja.
Ministrja Dumoshi tha se si ministre gjatë mandatit do të angazhohet maksimalisht në ruajtjen dhe mbrojtjen e vlerave të Trashëgimisë Kulturore në Republikën e Kosovës.