Në kuadër të mbledhjes së përbashkët të dy qeverive, asaj të Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës, janë nënshkruar, në vargun e marrëveshjeve me interes të përbashkët për të dy vendet, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ka nënshkruar katër marrëveshje me ministritë respektive të Republikës së Shqipërisë.
Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Republikës së Kosovës Vlora Dumoshi, mori pjesë në këtë mbledhje me ç’rast pati fjalën që të bëjë një ekspoze të shkurtë të marrëveshjeve të cilat u nënshkruan e që në fokus kishin thellimin e bashkëpunimit në fushën e kulturës dhe sportit.
Ministrja Dumoshi vuri fimën për këto marrëveshje që synojnë bashkëpunim ndër shtetëror në fushën e kulturës dhe sportit:
– Memorandumi i bashkëpunimit për Veprimtarinë Botuese dhe Librin i cili ka për qëllim bashkëpunim të shumëfishtë me Shqipërinë për librin dhe botimin. Marrëveshja parasheh edhe lehtësira në kufij për librat që qarkullojnë mes dy vendeve.
– Memorandumi i bashkëpunimit për Kalendarin e përbashkët kulturor Kosovë – Shqipëri me anë të së cilit do të bashkërendohen aktivitetet kulurore.
– Memorandumi për Bashkëprodhim Filmik i cili do të ngrisë bashkëpunimin ndërmjet dy institucioneve filmike, Qendrës Kinematografike të Kosovës dhe Qendrës së Filmit të Shqipërisë në bashkëprodhim filmik, dhe memorandum i cili parasheh ndarjen e çmimeve kombëtare në kinematografi.
– Memorandumi i bashkëpunimit ku dy palët i japin mbështetje themelimit të Ligës së përbashkët të Basketbollit ndërmjet Federatës së Basketbollit të Kosovës dhe Federatës Shqiptare të Basketbollit.
Synim i marrëveshjes është që bashkëpunimi i kësaj forme të thellohet edhe në disiplina tjera sportive, për mbështetjen e nismave për krijimin e ligës dhe mekanizmave tjerë të përbashkët për organizimin e sportit në nivel mbarëkombëtar.
Ministrja Dumoshi u shpreh shumë e lumtur që vë firmën për marrëveshjet e cilat do të ngrisin bashkëpunimin e dy vendeve në fushën e kulturës dhe sportit.
“Uroj dhe shpresoj që këto marrëveshje të forcojnë edhe më shumë marrdhëniet tona vllazërore shtetërore dhe t’i ndihmojnë njëzëri kulturës e sportit andej e këndej kufirit shqiptar” – u shpreh ministrja.
Institucionet vartëse të të dy ministrive do të vazhdojnë me modalitetet të cilat derivojnë nga këto marrëveshje me qëllim të zbatimit sa më të mirë të tyre.