Ministrja Dumoshi takoi Këshillin Kombëtar për parandalimin e dhunës në sport

Prishtinë | 18 Maj 2020 | 13:38 | Nga Ekonomia Online

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, ka zhvilluar një takim me Këshillin  Kombëtar për parandalimin dhe sanksionimin e dhunës dhe dukurive në sport ku ka pranuar edhe raportin tremujor të Këshillit.

Kryetari i Këshillit, prokurori Besim Kelmendi, e njoftoi ministren Dumoshi për punën e Këshillit, takimet dhe aktivitetet e ndërmarra për parandalimin dhe sanksionimin e dhunës në sport në vendin tonë.

“Kemi zhvilluar takime të shumta me grupe të ndryshme të tifozëve në komunat e Kosovës si dhe takime me informuese me gjyqtarë dhe delegatë të ndeshjeve për pasojat ligjore kur shkelet ligji për parandalimin dhe sanksionimin e dhunës dhe dukurive negative në ngjarjet sportive. Kemi arritur të pajtojmë shumë grupe mes njëra-tjetrës dhe i kemi njoftuar me pasojat ligjore që presin individët dhe klubet për dhunën e treguar”, u shpreh Kelmendi, duke e informuar ministren edhe për aktivitetet informuese e ndërgjegjësuese që ka ndërmarrë Këshilli.

Në takim u bisedua edhe për fenomenin e kurdisjeve ku Këshilli ka ndërmarrë hapat e nevojshëm dhe ka parandaluar këtë gjë në sportin e Kosovës. Gjithashtu, anëtarët e Këshillit kërkuan nga ministrja Dumoshi që MKRS-ja të miratojë plotësim-ndryshimin e rregullores e cila do të përcaktojë kush do të iniciojë procedurat penale për aktet e dhunës në sport.

Nga ana e saj, ministrja Dumoshi tha se e vlerëson lart punën e Këshillit pasi që ka ndikuar në uljen e nivelit të dhunës në sport në Republikën e Kosovës përmes veprimeve konkrete efikase.

“Sporti është një storie suksesi në vendin duke për shkak të rezultateve dhe reprezentimin e vendit tonë në arenën ndërkombëtare duke ndikuar në përmirësimin e imazhit të vendit tonë. Këto suksese në sport patjetër që pasqyrojnë edhe aspektin organizimit korrekt dhe sjelljen sportive të tifozëve në sportin tonë”, tha ministrja.

Po ashtu, ministrja tha se shumë shpejt do të miratohet edhe rregullorja e cila do të specifikojë aspektet sqaruese për t’i dhënë kompetencat e nevojshme për procedurat që duhet ndjekur ndaj atyre që shfaqin dhunë në sport. 


Të ngjashme