Ministrja e Drejtësisë atakon Gjykatën Kushtetuese, thotë se është bërë aleate e partive opozitare

Prishtinë | 23 Tet 2023 | 12:11 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se Gjykata Kushtetuese është bërë aleat i partive opozitare.

Këtë deklaratë Haxhiu e bëri gjatë diskutimeve me deputeten e PDK-së, Ariana Musliu – Shoshi në Komisionin Hetimor parlamentar në lidhje me rastet e dhunës seksuale dhe dhunës në familje.

Fillimisht, deputetja Musliu – Shoshi akuzoi se iniciativa e komisionit mund të jetë tentim për shndërrim të shtetit autokratik.

“Në demokracitë parlamentare këto iniciativa zakonisht vijnë nga opozita sepse nuk kanë besim në institucione, përveç nëse qëllim i këtij komisioni është që gjykatësit dhe prokurorët të merren në përgjegjësi për kryerjen e punës së tyre dhe kjo është tentim për shndërrim të shtetit nga demokratik në autokratik”, tha Musliu – Shoshi.

Ndërsa ministrja Haxhiu u përgjigj duke thënë se qeveria po bën reforma në drejtësi.

“Askush nuk e ka ndal opozitën të bëjë komisione hetimore. Unë jam thirrë nga PDK në interpelancë që nuk është mbajt kurrë. Është goditje e rëndë që Qeverinë me akuzu se po doni shtetin demokratik me kthy në autokratik. Ne po bëjmë reforma në drejtësi të cilat, Gjykata Kushtetuese është bërë institucion aleat i opozitës”, tha ministrja Haxhiu.

“Fjala e saj e fundit e konfirmon se kjo tendencë është shndërrim në shtet autokratik dhe nuk kisha pas dëshirë ta dëgjoj nga ministrja”, shtoi tutje Musliu Shoshi.

Kryesuesi i këtij Komisioni, Alban Bajrami, tha se Kosova është vendi i parë që e ka votuar Konventën e Stambollit dhe se po e trajtojnë me prioritet parandalimin e dhunës në familje dhe dhunës seksuale.

Për këtë temë, më gjatë foli ministrja Albulena Haxhiu. Ajo tha se me marrjen e mandatit, parandalimi i kësaj dukurie është bërë prioritet. Theks të veçantë tha se i kanë dhënë miratimit të akteve nënligjore, me ç’rast është edhe ofrimi i ndihmës juridike falas. Madje tha se për ata prokurorë e gjyqtarë që nuk i kanë kryer detyrat do ketë një vlerësim të qartë.

“Në momentin që është themeluar komisioni e kam mirëpritur sepse e konsideroj të rëndësishme trajtimin e këtyre çështjeve. Që nga momenti që kam pranuar punën, çështja e dhunës në familje është bërë prioritet. Për këtë qëllim e kemi miratuar strategjinë nacionale kundër dhunës seksuale dhe po ashtu ne kemi miratimit një sërë aktesh nënligjore. Ndër to janë ofrimi i ndihmës juridike falas”.

“Gjatë këtij viti kemi ndarë buxhet për strehimoret dhe këtë vit kemi ndarë rreth 900 mijë euro dhe është buxheti më i madh për këto strehimore. Ndërsa 1.5 milionë janë ndarë për subvencione për organizatat që merre me parandalimin e kësaj dukurie”, u shpreh Haxhiu.

“Deri tani nuk kemi parë veprime ndaj prokurorëve e gjyqtarëve të kenë marr veprime disiplinore. Do ta kemi një pasqyrë të qartë se kush nuk i ka kryer detyrat dhe kush është dashur të bëjë më shumë”, u shpreh Haxhiu.

Të ngjashme