Gjatë ditës së dytë të vizitës në Izrael, ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, Donika Gërvalla u prit nga homologu i saj izraelit Yair Lapid.
Në fillim të takimit, ministrja Gërvalla shprehu konsideratën e lartë për shtetin e Izraelit nga qeveria dhe populli i Kosovës, duke vlerësuar njohjen dhe vendosjen e marrëdhënieve diplomatike mes Kosovës dhe Izraelit, si një ngjarje shumë të rëndësishme për Republikën e Kosovës.
Ministrja Gërvalla e njoftoi homologun e saj me zhvillimin e gjithëmbarshëm dhe progresin e arritur në Kosovë, angazhimin e Qeverisë së Kosovës për paqen dhe stabilitetin në rajon dhe orientimin strategjik për integrime euro-atlantike.
Gjatë takimit ministrja Gërvalla e falënderoi ministrin Lapid për pritjen shumë të ngrohtë dhe gatishmërinë e shprehur për të thelluar bashkëpunimin në të gjitha fushat, përfshirë ekonominë, arsimin, teknologjinë dhe inovacionin, edukimin, shkencën, kulturën, kinematografinë, e dëshmuar me nënshkrimin e marrëveshjeve të bashkëpunimit në fushat përkatëse.