Në fjalën e saj para të pranishmëve Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, shprehu mirënjohjen e thellë dhe falënderimet e shtetit dhe qytetarëve tanë ndaj mbështetjes së madhe, mikpritjen dhe kontributin e Kanadasë në çlirim dhe zhvillim të Kosovës dhe në veçanti integrim dhe mbështetje të mërgatës sonë në Kanada.
Më tej, Ministrja Gërvalla tha që refugjatët e atëhershëm, sot janë pjesë e rëndësishme e shoqërisë kanadeze, thuhet në një komunikatë të MPJD-së.
“Ata janë ambasadorët më të mirë të Kosovës. Ndërtojnë ura të fuqishme mes Kosovës dhe Kanadasë, por pa harruar asnjëherë vendin e tyre”, citohet të ketë thënë Gërvalla.
Nga ana tjetër, senatorja kanadeze, Rebecca Patterson, foli rreth marrëdhënieve të fuqishme mes Kanadasë dhe Republikës së Kosovës si dhe miqësinë mes dy popujve tanë.
Pas ceremonisë së hapjes së Javës Kulturore të Kosovës, me koncertin e madh, përgjatë një jave do të mbahen shumë aktivitete në qytete të ndryshme të Kanadasë ku jetojnë dhe veprojnë shqiptarët, do të këtë shfaqje të filmave, dokumentarëve, aktivitete kulturore të ekspozimit të veshjeve tona kulturore si dhe do të organizohen edhe aksione të dhurimit të gjakut, bën të ditur MPJD.