Ministrja Gërvalla zhvilloi një takim me homologen e saj nga Islanda, Ministren Gunnarsdóttir

Prishtinë | 23 Sht 2025 | 22:11 | Nga Ekonomia Online

Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, znj. Donika Gërvalla, në kuadër të Javës së Nivelit të Lartë të sesionit të 80-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, zhvilloi një takim me Ministren e Jashtme të Islandës, znj. Þorgerður Katrín Gunnarsdóttir.

Gjatë takimit, Ministrja Gërvalla dhe homologia e saj znj. Gunnarsdóttir, diskutuan për avancimin e marrëdhënieve dypalëshe, duke theksuar rëndësinë e finalizimit të marrëveshjeve për eliminimin e tatimit të dyfishtë dhe për riatdhesimin. Po ashtu, u theksua potenciali për thellimin e bashkëpunimit në fusha të rëndësishme si turizmi, arsimi, energjia, mjedisi dhe siguria.

Ministrja Gërvalla ngriti edhe çështjen e ndalimeve arbitrare të qytetarëve të Kosovës nga Serbia, duke nënvizuar se këto praktika përbëjnë shkelje të rënda të së drejtës ndërkombëtare. Ajo theksoi rëndësinë që vende si Islanda, të kontribuojnë në rastet e denoncimit të hapur të shkeljeve të të drejtave të njeriut.
“Vende si Islanda, nënshkruese të iniciativës kundër ndalimeve arbitrare të qytetarëve dhe me traditë të gjatë në mbrojtjen e të drejtave të njeriut, kanë rol të rëndësishëm që kjo praktikë të denoncohet hapur dhe të mos kalojë pa u vënë re nga partnerët ndërkombëtarë” theksoi Ministrja Gërvalla.

Ministrja Gërvalla falenderoi Islandën për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës, në veçanti gjatë procesit të anëtarësimit në Këshillin e Evropës, duke theksuar nevojën që kjo mbështetje të vazhdojë edhe në të ardhmen.

Të ngjashme