Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë që udhëhiqet nga Rozeta Hajdari, ka planifikuar të shpenzojë hiç më pak se 100 mijë euro për angazhimin e dy ekspertëve të jashtëm, njëri ndërkombëtarë dhe tjetri vendor.
Këta dy ekspertë siç është cekur në shpalljen e tenderit do të angazhohen për finalizimin e Strategjisë Kombëtare për Investime (Politika Kombëtare për Investime) dhe Planit të Veprimit me Kostim, raporton Gazeta10.
Për jetësimin e këtij plani kjo ministri ka nisur edhe procedurat e prokurimit, ku edhe ka shpallur tender.
Tenderi është ndarë në dy lote, ku në lotin e parë kërkohet ekspert ndërkombëtar dhe në të dytin vendor.
Në lotin e parë, ku hyn eksperti ndërkombëtar, kërkohet që të ketë përvojë pune dhe njohuri në hartimin e politikave në fushat përkatëse, si në zhvillimin e sektorit privat, politikat industriale, hartimin e strategjive me metodologjinë EQuIP (Rritja e Cilësisë së Politikave Industriale), dhe përvojë në hulumtime dhe analizën e të dhënave.
“Përvoja e demonstruar në hartimin e planeve të veprimit të strategjisë dhe hartimin e projektit, Menaxhimi i Bazuar në Rezultate dhe ose Monitorimi dhe Vlerësimi dhe ofrimi i suksesshëm i trajnimeve përkatëse është i nevojshëm; Kërkohen të paktën 5 vjet përvojë pune përkatëse me institucionet qeveritare e ndryshme qeveritare, sektorin privat ose agjencitë ndërkombëtare të zhvillimit; Kërkohet njohuria e dëshmuar e gjerë e mjedisit ekonomik në Kosovë dhe përvoja e demonstruar me kërkesat e donatorëve kryesorë dhe mekanizmat financiarë që veprojnë në zonë (rajon); Aftësi analitike dhe aftësi për të interpretuar të dhënat dhe informacionin e mbledhur nëpërmjet instrumenteve kërkimore sasiore dhe cilësore”, thuhet ndër të tjera në kriteret e kërkuara lidhur me kapacitet teknike dhe profesionale.
Kriteret e ngjashme kërkohen edhe në lotin 2, për ekspert vendor.
“Kërkohet që eksperti të ketë përvojë pune njohuri në hartimin e politikave në fushat përkatëse, si në zhvillimin e sektorit privat, përvojë në hulumtime dhe analizën e të dhënave, si dhe hartimin e dokumenteve strategjike, apo studimeve të dëshmuar me CV, letër rekomandime, kontrata, etj; Përvoja e demonstruar në hartimin e planeve të veprimit dhe analizat financiare, respektivisht kostimin e planit të veprimit të dokumenteve strategjike; Kërkohen të paktën 5 vjet përvojë pune përkatëse me institucionet qeveritare, sektorin privat ose agjencitë ndërkombëtare të zhvillimit lidhur me zhvillimin industrial; Kërkohet njohuria e dëshmuar e gjerë e mjedisit ekonomik në Kosovë dhe në vendet e rajonit, njohuri dhe përvojë lidhur me politikat e investimeve, apo programe investive;”, thuhet ndër të tjera në njoftimin për shpalljen e tenderit.