Në kuadër të takimeve me ambasadorë të akredituar në Kosovë, ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor Albena Reshitaj priti sot në takim përfaqësuesit e ambasadës Suedeze në Kosovë, të udhëhequr nga Anders Wollter, i ngarkuar me punë në ketë Ambasadë.
Ministrja Reshitaj pasi falënderoi shtetin suedez për përkrahjen që ka dhënë dhe po jep në vazhdimësi për Kosovën, prezantoi prioritetet e saj si ministre duke përfshirë menaxhimin e mbeturinave, trajtimin dhe shndërrimin e tyre në energji elektrike, ngrohje qendrore dhe gaz, ngritja e cilësisë së ajrit, funksionalizimi i inspektoratit, mbyllja e deponive ilegale dhe shndërrimi i tyre në zona të gjelbërta, investimi në burimet ujore si dhe krijimi i një planifikimi të duhur hapësinor.
Nga ana tjetër z. Wollter pasi uroi ministren Reshitaj për detyrën e saj të re, shprehu gatishmërinë e shtetit që përfaqëson në forcimin e bashkëpunimit edhe në fushën e mbrojtjes së mjedisit dhe planifikimit hapësinor.
Ai vlerësoi se prioritetet që ka përcaktuar ministrja janë të domosdoshme për tu realizuar dhe për këtë ajo do ta këtë përkrahjen e tij dhe të shtetit suedez më qëllim të tejkalimit të kësaj gjendje jo të mirë të mjedisit në Kosovë.