Minxhozi: Është hequr taksa për ata që po dërgojnë ndihma, jo për qytetarët e rëndomtë

Prishtinë | 27 Nën 2019 | 13:57 | Nga Albanë Hajdari Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Në Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Prishtinë është hapur libri i ngushëllimeve për viktimat nga tërmeti në Shqipëri, raporton Ekonomia Online.

Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti së bashku me anëtarët e kryesisë kanë nderuar të gjithë viktimat nga tërmetit në Shqipëri me një minutë heshtje.

Në librin e ngushëllimeve ka shkruar Ambasadori i Turqisë në Kosovë, Çagri Sakar si dhe Ambasadori i Çekisë në Kosovë, Pavel Bilek.

Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, njoftoi se janë dakorduar me liderët e vendit që FSK-ja do të jetë institucioni kryesor për dërgimin e ndihmave nga Kosova drejt Shqipërisë.

Minxhozi deklaroi se Shqipëria ka hequr taksën rrugore për të gjithë ata që dërgojnë ndihma për të prekurit nga tërmeti, por jo edhe për njerëzit e rëndomtë.

Ndër të tjera, ai shtoi se pas tejkalimit të fatkeqësisë Shqipëria do ta rishikoj edhe njëherë vendimin për taksën.

“Për të dakorduar sa më mirë dërgimin e ndihmave në Shqipëri në konsultë edhe me kryeministrin Ramush Haradinaj në orët e paradites është rënë dakord që FSK do të jetë institucioni kryesor që do të merret me menaxhimin e dërgimin e gjithë ndihmave nga Kosova drejt Shqipërisë. Shqipëria ka hequr  taksën rrugore për të gjithë ata që ofrojnë ndihmë, por jo edhe për qytetarët e rëndomtë. Se çfarë do të bëhet pas kësaj tragjedie, mbetet të shihet në vazhdimin me vendimin tjetër për taksën”, u shpreh Minxhozi, raporton EO.

Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka shprehur ngushëllime për gjithë familjet që kanë humbur pjesëtarëve të familjes së prekur nga tërmeti.

“Sot në ditën e Ushtrisë së Kosovës dua të falënderoj pjesëtarët e FSK-së të cilët me punën e tyre të palodhshme po punojnë pa pushim për ti nxjerr të gjallë njerëzit të cilët kanë ngecur në gërmadha. Ekipet e shpëtimit urban të FSK-së me qenë të trajnuar, komunikimit, mjekësisë dhe policia ushtarake po bëjnë gjithçka për të shpëtuar njerëzit dhe gjithë popullin nga makthi. I shpreh ngushëllime familjet e viktimave si VV kemi krijuar shtab të emergjencës qe ti orientojmë të gjithë ndihmat për ta tejkaluar bashkë këtë fatkeqësi. Sot shkruajta përkujtimin në librin e zi në ambasadë”, u shpreh Kurti, raporton EO.

Të ngjashme