Shoqata “Miqtë e Amerikës” në bashkëpunim me Gjimnazin “Hivzi Sulejmani” nga Fushë-Kosova kanë mbajtur aktivitetin me moton “Falënderim për NATO-n me rastin e 23-vjetorit të sulmeve ajrore”, para bustit të ish-presidentit amerikan, Bill Clinton, raporton Ekonomia Online.
Ata kanë bërë ndërrimin e flamurit te busti i ish-presidentit amerikan Bill Clinton.
Agim Rexhepi drejtor i Shoqatës “Miqtë e Amerikës”, u shpreh falënderues nga NATO-s me rastin e 23-vjetorit të sulmeve ajrore.
Ai tha se ky aktivitet rrjedh si veprim i të gjitha tmerreve që ka përjetuar populli shqiptar, derisa shtoi se NATO është prezentë në Kosovë.
“Ky është një aktivitet tradicional sepse në këtë mënyrë populli i Kosovës i është falënderues dhe mirënjohës dhe shumë i vetëdijshëm për veprimet e Aleancës Veriatlantike që i ka bërë për popullin tonë atëherë kur kemi pasur nevojë më së shumti. Ky aktivitet rrjedh si veprim i të gjitha tmerreve që ka përjetuar populli shqiptar. Jemi dëshmitarë që Aleanca Veriatlantike është prezentë në Kosovë dhe në bashkëpunim me institucionet tona relevante e sjell sigurinë e popullit të Kosovës”, tha ai.
Amir Pllana drejtor i Gjimnazit “Hivzi Sulejmani” në Fushë-Kosovë, tha se ky aktivitet është mesazh që e bartin ata tek brezi i ri.
“Ne sot jemi bashkangjitur me Shoqatën Miqtë e Amerikës për këtë aktivitet në përkujtim dhe falënderim në përvjetorin e 23-të te sulmeve të NATO-së mbi caqet serbe të sulmeve në Kosovë. Me nxënësit më të dalluar të shkollës kemi dashur që këtë mesazh të bartim tek brezi i ri”, tha ai.