Autoudhët, rrugët rajonale dhe ato nacionale të Republikës së Kosovës po vazhdojnë të mirëmbahen nga kompanitë e kontraktuara nga Ministria e Infrastrukturës.
Në të shtatë regjionet e Kosovës, kompanitë po vazhdojnë aktivitetet e tyre në baza ditore, ku raportohet se:
-Në rajonin Prishtina 1 dhe 2, në të gjitha rrugët e mirëmbajtura nga MI, shkaku i mjegullës së dendur dhe temperaturave nën zero (-0), është aplikuar hedhja e kripës dhe e rërës, për të mos u penguar komunikacioni rrugor si pasojë e krijimit të ngricave mbi shtresën qarkulluese. Përndryshe, të gjitha rrugët e këtij rajoni janë të lira për qarkullim.
-Edhe rrugët në rajonin e Pejës, që të gjitha janë të kalueshme, përfshirë shpërndarjen e kripës dhe të rërës gjatë natës, kryesisht sipas nevojës.
-Infrastruktura rrugore e rajonit të Ferizajt është poashtu krejtësisht e lirë për qarkullim.
-Edhe në rajonin e Gjilanit rrugët janë krejtësisht të qarkullueshme, pavarësisht mjegullës së dendur.
-Të lira për qarkullim janë edhe rrugët e rajonit të Gjakovës, duke përfshirë intervenimin me asfalt të ftohtë në urën e Rakovinës.
-Mirëmbajtja dimërore e rrugëve po vazhdon edhe në rajonin e Prizrenit, me ç’rast po bëhet shpërndarja e kripës në drejtimin Prizren-Carralevë.
Intervenime me shpërndarje të kripës ka pasur edhe në autoudhën R6 Doganaj-Hani i Elezit, me qëllim të parandalimit të ngricave mbi shtresën qarkulluese, si pasojë e temperaturave nën zero (-0). Ndërkaq, të gjitha autoudhët e Kosovës janë të lira për qarkullim.
Mirambajtja dimërore e autoudhëve, rrugëve rajonale dhe nacionale mbetet prioritet i ministrisë së Infrastrukturës dhe si e tillë, do të pasqyrohet në mënyrë të vazhdueshme.