Këshilltarët shqiptarë nga tri komunat në Luginën e Preshevës kanë miratuar sot Deklaratën politike me të cilin kërkojnë që Kosova dhe Serbia në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve të jetë i përfshirë edhe statusi politik i shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, transmeton Koha.net.
Siç përcjell gazeta ‘blic’ e Beogradit në deklaratë, ndër të tjera, ata kanë kërkuar reciprocitete me serbët në veri të Kosovës.
Në deklaratë më tutje shtohet se pa zgjidhjen e të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës nuk mund të ketë normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Beogradit e Prishtinës.
Shqiptarët e Luginës pohojnë se në Serbi janë minoriteti më i diskriminuar ndërsa presin që të kenë e të ushtrojnë funksione qeveritare në Beograd.
Në deklaratën e miratuar shqiptarët kanë kërkuar respektim të plotë të të drejtave kolektive në përputhje me dokumentet e Kombeve të Bashkuara, Bashkimit Europian, Këshillit të Europës dhe me praktikën e mirë të Ujdhesave Oland,Tirolit Jugor dhe Kosovës.
Në deklaratë kërkohet po ashtu edhe shtimi i monitorimit të vazhdueshëm të bashkësisë ndërkombëtare në mënyrë që të vlerësohet realisht pozita e shqiptarëve të Luginës.