Qeveria ka miratua dokumentin “Prioritetet kyçe të Agjendës Evropiane për vitin 2018”, raporton Ekonomia Online.
Kryeministri Ramush Haradinaj, tha se javën e kaluar kanë miratuar një dokument ku kanë identifikuar prioritete të shumta, duke kërkuar përkrahjen e ministrave në përmbushje të obligimeve.
“Ministria e Integrimeve Evropiane kanë nxjerr prioritetet më kyçe. Kemi një dokument me produktin final të prioriteteve”, ka thënë ai.
Ministrja e Integrimeve Evropiane (MIE), Dhurata Hoxha, tha se pas kërkesës të kryeministrit, ministria që ajo drejton ka shqyrtuar dhe rishikuar këtë reformë e cila është në kuadër të agjendës evropian.
Ajo sqaroi se kanë shpërndarë draftin për prioritetet kyçe.
“Të reflektojmë mbi këtë dokument dhe të krijojmë një platformë politike për të filluar negociatat me Komisionin Evropian lidhur më avancimin e agjendës Evropiane të Kosovës drejt statusit të kandidatit, bazuar në një planifikim të reformave që mund të përmbushim gjatë vitit 2018”.
Ajo ka theksuar se do dinamizuar reforma gjatë vitit 2018, por njëkohësisht, do të ftohet Brukseli që të reflektoj ndaj avancimit të mëtutjeshëm të Kosovës në procesin integrues.
“Synimi jonë është që Kryeministri Haradinaj dhe Komisionari Hahn të bëjnë lansimin e prioriteteve për vitin 2018 në kuadër të takimit të ardhshëm të Dialogut të Nivelit të Lartë Kosovë – BE në fillim të vitit 2018”.
Ministrja shtoi se me këtë Kosova mund të arrij një diskurs konkret për statusin e kandidatit.
“Progresi jonë do të matet jo bazuar në dokumente që hartojmë dhe lansojmë, por bazuar në rezultate konkrete që do të jemi në gjendje të tregojmë gjatë 12 muajve të ardhshëm”.