Kuvendi i Kosovës ka miratuar të premten me 98 vota për, asnjë kundër dhe 4 abstenime Projektligjin nr. 10/L-004 për ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë për “Instrumentin për Reforma dhe Rritje për Ballkanin Perëndimor” ndërmjet Bashkimi Evropian, të përfaqësuar nga Komisioni Evropian si huadhënës, dhe Republikës së Kosovës si huamarrës, me Banka Qendrore e Kosovës në rolin e agjentit të huamarrësit, raporton Ekonomia Online.
Ratifikimi i kësaj marrëveshjeje lidhet me zbatimin e agjendës së reformave në kuadër të Planit të Rritjes së Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor dhe parasheh sigurimin e një kredie në vlerë mbi 629 milionë euro, e cila do të shërbejë për mbështetje buxhetore dhe investime zhvillimore.
Ministri i Financave, Hekuran Murati, tha se marrëveshja e paraqitur për miratim ndërlidhet drejtpërdrejt me agjendën e reformave që tashmë është miratuar më herët në kuadër të Planit të Rritjes së BE-së.
“marrëveshja e radhës të cilën po e sjellim sot për miratim para jush, që ndërlidhet me agjendën e reformave në kuadër të Planit të Rritjes së Bashkimit Evropian. Konkretisht, paraprakisht keni miratuar kornizën dhe vetë reformat, ndërkaq tash për miratim është marrëveshja e kredisë, pra për pjesën e atyre dy të tretave të kredisë. Në qendër të kësaj agjende të reformave, është edhe pra janë reforma për administratë publike, menaxhimin e financave publike, digjitalizimin e shërbimeve, infrastruktura dhe mjedisi apo dekarbonizimi, efiçenca e energjisë, arsimi, tregu i punës, si dhe sundimi i ligjit. Kurse sa i përket marrëveshjes për financim dhe kushteve të financimit, vlera totale e kredisë, siç e thash më herët, është 629 milionë – konkretisht 629 milionë 311 mijë e 236 euro – ku nga kjo shumë, pra një pjesë, diku 4.75% e disbursimit do të transferohet në kornizën e investimeve të Ballkanit Perëndimor, dhe ndërkaq pjesa tjetër vjen si mbështetje buxhetore”, tha ai.
