Tre ditë para pushimeve të fundvitit dhe pas debatesh shumë të gjata, qeveria e kancelares Merkel miratoi dy projektligje për imigrimin e punëtorëve të kualifikuar. Ato u prezantuan të mërkurën nga tre ministra: Horst Seehofer, ministër i Punëve të Brendshme, Hubertus Heil, ministër i Punës dhe Çështjeve Sociale dhe Peter Altmaier, ministër i Ekonomisë, në një konferencë të përbashkët për shtyp në Berlin. Projektligji i parë rregullon imigrimin e fuqisë punëtore nga jashtë, ndërsa projektligji i dytë u mundëson si ish-azilkërkuesve të refuzuar (me Duldung) të kthehen në imigrantë ekonomikë.
Risitë e ligjit për imigrimin e të kualifikuarve
Projektligji për imigrimin e të kualifikuarve, në, synon të heqë pengesat aktuale për imigrimin e rregullt ekonomik. Ai do të sjellë këto ndryshime në krahasim me ligjin aktual:
– unifikohet termi “punëtor i kualifikuar” , ku sipas ligjit të ri, përfshihen si të diplomuarit me arsim të lartë, ashtu edhe ata pa arsim të lartë, por me kualifikim profesional;
– hiqet kontrolli i prioritetit për të kualifikuarit me kontratë pune: Deri tani viza e punës jepet vetëm kur është konfirmuar se nuk ka gjermanë ose shtetas të BE-së me të njëjtin kualifikim që mund ta bëjnë atë punë, me ligjin e ri ky verifikim bie.
– hiqet kufizimi për imigrim vetëm për profesionet që kishin mungesa të fuqisë punëtore dhe hapet tregu për çdo të kualifikuar;
– ngjashëm si me të diplomuarit me arsim të lartë, edhe të kualifikuarit e tjerë do të kenë shans të vijnë në Gjermani me një vizë gjashtëmujore për të kërkuar punë. Parakusht për të marrë këtë vizë janë njohuri të gjuhës gjermane (minimumi niveli A2) dhe para të mjaftueshme për të siguruar jetesën gjatë periudhës së kërkimit të punës në Gjermani. Sipas ministrit të brendshëm Seehofer, pasi ta kenë gjetur vendin e punës dhe të kenë bërë edhe kontratën, ata duhet të aplikojnë sërish në ambasadë për vizë pune.
– përmirësohet mundësia e qëndrimit në Gjermani për të bërë kualifikime ose provime për njohje të diplomës ose certifikatës së bërë në vendin e prejardhjes;
– thjeshtohet procedura e vizave, përqendrohen kompetencat te zyra e të huajve dhe përshpejtohet dhënia e vizave për fuqinë punëtore, shkruan deutschewelle, përcjellë Klan Kosova.
Çfarë ndodh me ish-azilantët?
Projektligji i dytë ka të bëjë me ndryshimin e statusit nga ish-azilkërkues i refuzuar (statusi aktual: Duldung) në imigrant. Për këtë kalim është paraparë një leje qëndrimi e përkohshme prej 30 muajsh, para se të kalohet te leja e qëndrimit të rregullt. Por nga ky rregull përfitojnë vetëm ata azilantë që kanë plotësuar këto kushte:
– të kenë qenë në marrëdhënie pune me orar të plotë prej së paku 18 muajsh;
– të jenë në gjendje t’i mbulojnë vetë shpenzimet e jetesës;
– të kenë familje të integruara, për shembull, fëmijët të frekuentojnë shkollën rregullisht;
– të jenë prej së paku një viti me statusin Duldung;
– të kenë njohuri gjuhe së paku në nivelin A2;
– të mos kenë qenë të dënuar penalisht;
– të mos kenë bërë përpjekje për të fshehur identitetin e vërtetë.