Këshilli i Ministrave në mbledhjen e së shtunës, miratoi dy marrëveshje të rëndësishme me qeverinë e Kosovës, për sa i takon regjimit të trafikut lokal të kufirit dhe për hapjen e pikës së përbashkët të kalimit kufitar Shishtavec (Kukës) – Krushevë (Dragash).
Sipas relacionit që shoqëron këto vendime, në mbështetje të ligjit “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave vendosi miratimin, në parim, të marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Kosovës, për rregullat e regjimit të trafikut lokal të kufirit.
Gjithashtu qeveria miratoi në parim, marrëveshjen ndryshuese të marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Kosovës, për hapjen e pikës së përbashkët të kalimit kufitar Shishtavec (Kukës) – Krushevë (Dragash).
Këto vendime hyjnë në fuqi menjëherë.