Kuvendi i Kosovës ka miratuar me 103 vota për, asnjë kundër dhe 5 abstenime Marrëveshjen e Financimit për Programin e parë për “Financimin e Politikave Zhvillimore për Efektivitetin Fiskal, Konkurrueshmërinë dhe Rritjen e Gjelbër”, ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Banka Botërore, raporton Ekonomia Online.
Sipas Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, marrëveshja parasheh sigurimin e financimit në vlerë prej 90.3 milionë euro, pas përmbushjes së një pakoje reformash dhe ligjesh nga ana e Kosovës, ndërsa financimi parashihet me 0 për qind normë interesi dhe me fillim të kthimit pas gjashtë vjetësh.
“Ka qenë një pako e reformave dhe ligjeve që është dashur të miratohen, në mënyrë që Kosovës t’i jepet si shpërblim në fund pastaj, apo t’i mundësohet financimi në vlerë prej 90.3 milionë euro. Shteti i Kosovës i ka përmbushur të gjitha detyrimet në raport me Bankën Botërore dhe tani këto mjete pra janë në dispozicion, por mbetet e nevojshme pra që kjo të bëhet efektive, të ratifikohet në Kuvendin e Republikës së Kosovës”, tha ai.
