Komisioni për Integrim Evropian të premten ka miratuar me shtatë vota për Programin Kombëtar për zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim- Asociimit (PKZMSA) 2021-2025, raporton Ekonomia Online.
Zëvendëskryeministër i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog Besnik Bislimi, tha se kjo marrëveshje përbëhet nga tri kritere ato politike, ekonomike dhe standardet evropiane, ku kostoja e saj varion me 47.7 milionë euro.
“Dokumenti është i përbërë prej 250 faqesh përmban një volumitet të përmbajtjes. Për zbatimin e këtij planit kombëtar nuk kemi probleme buxhetore, dhe kostoja e saj është 47.7 milionë euro. Plani kombëtar përmban 61 projektligje me standarde evropiane”, tha Bislimi.
Deputeti Driton Hyseni tha se do duhej që të ketë plane konkrete sa i përket grandeve dhe të ketë kuadro profesionale edhe sa i përket zhvillimit lokal të komunave për fonde që u jep BE-ja.
“Do doja të kemi hapa dhe plane konkrete sa i përket grandeve, dhe dua të kem informacion nga ju sa i përket zhvillimit lokal të komunave. A ka kuadro profesionale në këto komuna për të bërë projekte zhvillimet nga fondet e BE-së”.
Deputetja e PDK-së Blerta Deliu-Kodra tha se një dokument i tillë do duhej t’i nënshtrohej një diskutimi publik dhe të jetë në përputhje me rregulloren.
“Katër takime jemi mbrapa dhe na duhet impute se sa është avancuar ky projekt. Një dokument i tillë do duhej t’i nënshtrohej një diskutimi publik dhe në përputhje me rregulloren”.
“Puna e kësaj Qeverie është e pamjaftueshme dhe për këtë arsye është e nevojshme që Kuvendi dhe Qeveria të bashkëpunojnë në këtë drejtim”, tha Deliu-Kodra.
Bislimi i’u përgjigj deputetes Deliu-Kodra lidhur me çështjet e adresuara, i cili theksoi se performanca tatimore është shumëfish më e mirë se e çdo vendi të rajonit.
Sa i përket emërimeve politike dhe zbatimit të këtij plani ai tha se nuk ka pasur aktivitet i cili është keqpërdor më shumë sesa emërimet politike.
“Gjejeni një person i cili është emëruar në bazë të lidhjeve familjare”, tha ai.
Por deputetja e PDK-së tha se Qeveria po i fsheh emrat e atyre që jaën emëruar, raporton EO.
“Për korrektësi nuk do t’i hy me emra, por nuk mundet me qenë profesionist ajo listë që e dimë të gjithë dhe kjo është tendencë e juaja që me i fsheh këta persona”, i’u kundërpërgjigj Deliu-Kodra zëvendëskryeministrit.
Diskutimi i tyre ka vazhduar prapë lidhur me këtë cështje.
“Nëse fjalët e kryeministrit janë që familjarët janë për dasma dhe ahengje atëherë qëndroni fjalëve tuaja, leni për dasma dhe ahengje dhe jo me i lanë nëpër borde”, tha Deliu-Kodra.
Deputetja e AAK-së Time Kadriaj pyeti zëvendëskryeministrin se kur pritet të sillen 61 projektligje në Kuvend që janë pjesë e planit.
“Mos u arsyetoni për emërimet sepse e keni pasur patjetër edhe ju mi emëruar këta anëtarë sepse prej tyre keni fituar votat”, tha tutje ajo.
Zëvendëskryeministri Bislimi tha se tashmë 14 projektligje janë përfunduar dhe pritet edhe miratimi i të tjerave.
“Sa i përket vaksinave ne kemi mjaftueshëm sa për të dhënë edhe vaksinën e tretë. Deri në mars jam optimist që mund ta kalojmë gjysmën e këtij plani”.