Komuna e Gjilanit nuk e ka pastruar borën nga trotuaret e qytetit, ngase nuk ka kontratë të lidhur me ndonjë kompani, e cila do t’i kryente shërbimet për pastrimin e rrugëve, trotuareve dhe mirëmbajtjen e hapësirave të tjera publike.
Tenderi për pastrim, i cili është shpallur nga Komuna, vazhdon të zvarritet, ngase kompanitë të cilat kishin konkurruar në këtë tender i janë drejtuar Organit Shqyrtues të Prokurimit Publik (OSHP) me ankesa.
Njëri nga operatorët kishte vlerësuar se Zyra e prokurimit të Komunës në Gjilan kishte kryer shkelje gjatë udhëheqjes të procedurave të tenderimit.
Kurse OSHP-ja i ka kërkuar zyrës së prokurimit në Gjilan që lënda të rikthehet në rivlerësim, ngase është konstatuar se ankesa e njërit prej operatorëve ekonomikë ishte e bazuar.