Miroslav Lajçak dorëhiqet shkaku i lidhjeve me Epsteinin

Prishtinë | 02 Shk 2026 | 10:56 | Nga Ekonomia Online

Këshilltari për siguri kombëtare i kryeministrit të Sllovakisë ka dhënë dorëheqje pasi dosjet e publikuara nga Shtetet e Bashkuara kanë treguar se kishte shkëmbyer mesazhe për vajza dhe diplomaci me abuzuesin e ndjerë të seksit, Jeffrey Epstein, raporton BBC.

Kryeministri Robert Fico ka njoftuar se e ka pranuar dorëheqjen e Miroslav Lajçakut në një video-mesazh të shtunën, duke e përshkruar këshilltarin si “burim të jashtëzakonshëm përvoje në diplomaci dhe politikë të jashtme”.

Dorëheqja ka ardhur një ditë pasi Departamenti amerikan i Drejtësisë publikoi tre milionë dosje që lidhen me financierin me ndikim.

Ndërsa dosjet nuk tregojnë ndonjë shkelje nga ana e personave të përmendur, përfshirë Lajçakun, kanë ngritur sërish dyshime për personat që kanë pasur lidhje me Epsteinin.Në një shkëmbim mesazhesh në tetor 2018 – kur Lajçak shërbente si ministër i Jashtëm i Sllovakisë – Lajçak dhe Epstein do të diskutonin lirshëm për gratë dhe për një takim të ardhshëm me ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov. Pasi Epstein dërgon një imazh, i cili nuk mund të shihet në dosje, Lajçak ia kthen:

“Pse nuk më fton edhe mua në këto lojëra? Do ta merrja vajzën ‘MI’”.

“Kush nuk do?”- ia kthen Epstein mesazhin. “Mund t’i kesh të dyja, nuk jam xheloz. Madje edhe motrat e tyre”.Epstein shihet më vonë në bisedë duke e porositur Lajçakun t’i kërkojë Lavrovit një bluzë me imazhet e Lavrovit dhe Vitaly Churkinit, ambasadori rus në OKB që kishte vdekur një vit më parë.

“Ti merr bluzën. Pastaj merri vajzat”, i shkruante Epstein, dhe Lajçaku pajtohet me kërkesën e tij. Më pas Epstein thotë: “Pa shaka, motrat e tyre po notojnë të dyja në pishinë”.

“Kjo nuk është e drejtë!” – i përgjigjet Lajçak.“Edhe pse të gjitha janë nën 30 vjeçe. Pra, mbase shumë të reja për ty”, shton Epstein. “Ose duhet të them nën 50 vjeçe”. “Mos u bëj i ligë”, i përgjigjet Lajçaku. “Nuk më njeh në aksion”.

Në një email drejtuar Epsteinit në nëntorin e vitit 2017, Lajçak do t’i kërkonte ta ndihmonte një producente grua që filmi i saj të futej në listën e ngushtë për Oscarët e atij viti.

Lajçak fillimisht i ka mohuar se kishte diskutuar për gratë me Epsteinin kur dosjet u publikuan të premten, kanë raportuar mediat sllovake. Më vonë, thuhet se ai deklaroi se kishte vendosur të jepte dorëheqjen që ta shpëtonte Ficon nga dëmi politik.

Fico e ka cilësuar reagimin e ashpër në Sllovaki ndaj lidhjes së Lajçakut me Epsteinin si “një sulm kundër meje”.

“Ka një kohë të gjatë që nuk kam parë kaq shumë hipokrizi në kritikën ndaj tij, madje nga të gjitha anët”, ka thënë ai. Lajçak kishte shërbyer në katër qeveri sllovake, tre prej tyre të drejtuara nga Fico, si dhe si diplomat ndërkombëtar. Ish-ministri i Punëve të Jashtme së fundmi kishte qenë përfaqësues i posaçëm i BE-së për Ballkanin Perëndimor. Paketa masive e dosjeve e publikuar të premten ka zbardhur detaje të reja mbi marrëdhëniet që Epstein – i cili vdiq në paraburgim në vitin 2019 derisa po priste gjykimin për akuza të trafikimit seksual – kishte lidhje me figura të profilit të lartë, përfshirë Elon Muskun, Lordin Peter Mandelson, Bill Gatesin dhe Andrew Mountbatten-Windsorin. Mes tyre ka edhe imazhe të ish-Dukës së Jorkut, të cilit iu hoqën titujt për shkak të lidhjeve me financierin e diskredituar, që duket se e tregojnë ish-princin të gjunjëzuar mbi një grua të shtrirë në tokë.

Të ngjashme