Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia bashkë me kryesuesen e Bordit Drejtues të ShSKUK-së, Agreta Gashi dhe drejtorin e përgjithshëm të ShSKUK-së, Valbon Krasniqi, pritën në takim Zëvendës Shefin e Misionit të Ambasadës italiane në Kosovë, Ugo Ferrero, si dhe delegacionin e mjekëve dhe punëtorëve tjerë në kuadër të misionit të Gift of Life, që për disa ditë me radhë kanë trajtuar fëmijë me probleme në zemër.
Gjatë takimit, falënderuan Qeverinë italiane, popullin italian dhe mjekët për ndihmat e vazhdueshme që po japin për shëndetësinë kosovare, e në veçanti, për trajtimin e fëmijëve me probleme në zemër.
“Në kuadër të misionit të Gift of life, për një javë në Klinikën e Kardiokirurgjisë me Kardiologji Invazive kanë qëndruar 14 punëtorë shëndetësorë, 8 nga Italia dhe 6 nga Amerika, të cilët kanë operuar 10 fëmijë me probleme në zemër dhe 15 të tjerë janë trajtuar përmes metodave të kardiologjisë invazive”, thuhet në njoftim.