Shefi i Misionit të Bashkimit Evropian për Vëzhgim të Zgjedhjeve, Lukas Mandl, në një konferencë për media, të martën (19 tetor) tha se procesi zgjedhor i 17 tetorit në Kosovë, është organizuar mirë, mediat i kanë mbuluar lirshëm zgjedhjet, të papenguara në aktivitetin e tyre.
Shefi i Misionit të BE-së ka lavdëruar punën e televizionit publik Radiotelevizioni i Kosovës (RTK), i cili sipas tij, ka bërë një mbulim të balancuar dhe të zgjeruar të kandidatëve.
Zgjedhjet komunale të 17 tetorit, në përgjithësi janë vlerësuar pozitivisht, me përjashtim të komunave të banuara më shumicë serbe, ku konkurrenca politike ka qenë e kufizuar, ka vlerësuar Misioni Vëzhgues i Bashkimit Evropian.
“Ambienti mediatik është i gjallë dhe pluralist dhe mediat i kanë mbuluar lirshëm zgjedhjet, të papenguara në aktivitetin e tyre. Përderisa televizioni publik RTK1 ka bërë një mbulim të balancuar dhe të zgjeruar të kandidatëve, transmetuesit e tjerë të rëndësishëm kanë shfaqur interes më të ulët për garat komunale. Transmetuesi publik dhe disa televizione private kanë kontribuar pozitivisht në informimin e votuesve duke organizuar debate zgjedhore gjithëpërfshirëse për shumicën e komunave”, thuhet në raportin e Misionit të BE-së.