Intensifikimi i debateve publike për zgjedhjet e (jashtë)zakonshme, ka ndikuar që të paktën partitë politike të fillojnë dhe të aktivizohen më shumë në ofrimin e menysë elekotrale për qytetarët. Një të tillë, e bëri edhe Partia Demokratike e Kosovës, nëpërmjet nominimit të Bedri Hamzës, kryetarit aktual të qytetit të Mitrovicës, si kandidat për kryeministër.
Kjo praktikë ku kryetari i partisë nuk është edhe kandidat për të drejtuar qeverinë, nëse ajo i fiton zgjedhjet, është hera e parë që zbatohet nga kjo parti politike. Një gjë të tillë kohë më parë e kishte bërë Lidhja Demokratike e Kosovës, ku në vend të Isa Mustafës, që e mbante pozitën e liderit të subjektit politik, herë e kishte ofruar si kandidat për kryeministër Abdullah Hotin, e herën tjetër Vjosa Osmanin.
Mirëpo, eksperimente të tilla nuk është se ishin treguar shumë efektive në këtë drejtim. Ndërkohë, se sa do të funksionon me PDK-në kjo qasje mbetet të shihet. Por, si metodë ajo vuan nga disa kufizime politike, sepse si mund t’u ofrohet qytetarëve të një vendi si alternativë politike, dikush nuk i “beson” as anëtarësia e subjektit politik? Apo në anën tjetër, si mundet dikush të jetë drejtues i një partie që nuk ka guxim politik të përballet me oponentët e tij para qytetarëve, sidomos kur është në moshën më të mirë “biopolitike”?
Këto dhe paradokse të tjera e bëjnë shumë sfiduese këtë akt të PDK-së. Shto këtu faktin që ky subjekt politik ka kohë që vuan nga deficiti i brendshëm demokratik. Asaj i duhet që të shfaqet si një alternativë demokratike ndaj një partie në pushtet me vokacion populist. Mirëpo, si mund të jetë një parti e tillë kur i ka shpërfillur zgjedhjet e brendshme partiake? Dhe kur i ka anashkaluar obligimet statutare dhe respektimin e vullnetit të anëtarësisë për të qenë të zgjedhur dhe për të zgjedhur? Ajo sot drejtohet nga struktura ilegjitime në shumë nivele të saj organizative dhe pa mandat drejtues.
Demokracia nuk është veprim i një demiurgu apo i një heroi vetmitar, por aksion i përbashkët kolektiv. Përpjekja për ta reduktuar vetëm në të parën, nuk është asgjë tjetër, pos synim për ta maskuar mungesën e të dytës. Sepse në këtë rast, Bedri Hamza nuk është duke kandiduar vetëm si teknokrat, ku do të mjaftonin proceduarat burokratike për ta fituar mandatin për të cilin është duke kandiduar, por para së gjithash ai duhet të jetë shprehje dhe mishërim i një vullneti politik demokratik, e i cili në të vërtetë është suspenduar nga klasa aktuale drejtues e këtij subjekti politik.
Në fund të fundit, një veprim i tillë do të mund të kishte kuptim, sikur të ishin mbajtur paraprakisht “zgjedhje primare” para anëtarësisë, ku disa kandidatë do shfaqeshin me ofertat e tyre për t’i përfaqësuar në betejën për t’i fituar zgjedhjet nacionale. Atëherë kjo ngjarje mbase do t’i “kompensonte” mungesat e sipër cekura.
Prandaj, është kjo një barrë shumë e madhe që bie mbi shpatullat e Bedri Hamzës e cila mund t’i shndërrohet në një hendikep serioz në betejat që do ta presin.