Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut (KMDLNJ), ka reaguar në lidhje me gjendjen aktuale me energjinë elektrike në vend, pasi që janë rikthyer reduktimet me energjinë elektrike.
Së fundmi në një reagim të KMDLNJ-së thuhet se të gjithë konsumatorëve po iu ndalet energjia por përjashtim po ka vetëm për konsumatorët në veri Mitrovicës.
KMDLNJ nga qytetarët ka kërkuar që të protestojnë për të drejtat e tyre pasi që sipas tyre po diskriminohen nga qeveria.
Reagimi i plotë i KMDLNJ-së:
Me datë 22 dhjetor 2021 nga distributori KESCO iu janë dërguar mesazhe telefonike konsumatorëve të Prishtinës dhe sigurisht edhe të gjithë konsumatorëve në Kosovë, përjashtuar komunat në Veri të Kosovës, se : “ për shkak të krizes energjetike dhe sipas udhëzimeve të KOSTT ( kusar shumëvjeçar i plaçkitjes së xhepit të konsumatorit për energjinë e shpenzuar dhe bamirës dorëlirë për konsumatorët serb në Veri të Kosovës të cilët as nuk e dinë si duket fatura për rrymën e shpenzuar ), do të ketë kufizime të furnizimit me energji elektrike në orare të caktuara.
Këto masa kufizuese, sipas kusarëve të KESCO do të nisnin të zbatoheshin nga data 23 .12. 2021 në ndërkohë që atë ditë dhe ditë më parë kishte kufizime të rrepta që zgjasnin deri në 6 orë kurse, në disa lagje kufizimet zgjasin edhe sot e kësaj dite. Arsyetimi i kusarëve të KESCO është stereotip dhe përsëritje të cilës askush nuk i beson përveç tyre dhe ministres fatkeqe, Artane Rizvanolli. Si ndodhi që në të njëjtën kohë ka prishje të mëdha në trafot si dhe ku e gjetën kohën kur në acarin më të madh këtë vit të punojnë në riparimin e rrjetit?! Përveç se në mënyrë të pamoralshme po na i zbrazin xhepat për fatura të fryera si dhe për të blerë ilaçe nga ftohjet dhe përkeqësimi i gjendjes shëndetësore shkaku se nuk po kemi mundësi “ ta shfrytëzojmë komoditetin e nxemjes, me paratë tona ndonës thuaja 100% të konsumatorëve janë pagues të rregullt të faturave “, nga ata që kanë përgjegjësi konkrete po dërgohen këshilla moralizuese për veprime krejtësisht të pamoralshme!
Nëse kusarët e KESCO për një vonesë 30 minutëshe të shkyçin nga rrjeti i furnizimit, atëherë me çfarë të drejta kërkojnë nga ne të mërdhijmë ndërsa veriorët, si pjesë e “ popullit hyjnor“, shpenzojnë energji elektrike sa të duan dhe si të duan , pa e pësuar asnjë pasojë ! Zbatimi i standardeve të dyfishta është legalizim i zbatimit të moralit dhe pafytyrësisë së dyfishtë, si dhe legalizim i një plaçkitjeje, në mbrojtje dhe pjesëmarrje të shtetit, që nga paslufta e deri më sot ! KMDLNj –ë më herët, pasi dihej se po hynim në një krizë energjetike dhe ishte kohë e shkurtër për të kërkuar nxemje alternative pati propozuar që në afat 6 mujor t’u ndahen nga 100 euro për pensionistët me pensione sociale ( të moshës ) dhe për ata që janë pjesë e skemës sociale pavarësisht përkatësisë etnike, racës, gjinisë dhe statusit në shoqëri ndërsa ishin ndarë vetëm nga 100 euro për të gjithë pensionistet në mënyrë lineare e që nuk ishte kurrfarë zgjidhje.
Me përkeqësimin e situatës, energjetike dhe shëndetësore, KMDLNj –ë e ripërsëritë kërkesën që për 5 muajt e ardhshëm, pensionistët me pension social ( sipas moshës ) dhe ata nga skema sociale duhet të përfitojnë nga 150 euro shtesë që, për një qeveri që ka zhvillim ekonomik prej 9.9% nuk paraqet asnjë problem. Qeveria e Kosovës nuk guxon të investojë në socializimin e humbjeve të kusarëve të KESCO për faktin që e kanë gërryer deri në asht konsumatorin e Kosovës, që nga privatizimi e deri më sot! Qeveria e Kosovës duhet të mbikëqyrë institucionet që e zbatojnë orarin e reduktimeve dhe të ndëshkojë shpërdoruesit e kësaj detyre që , nga aspekti i të drejtave të njeriut është jashtëzakonisht diskriminues; në lokacione të caktuara nuk ka fare reduktime kurse në të tjerat janë 6 e më shumë orë.
Qytetarët e Kosovës duhet të protestojnë kundër këtij diskriminimi sikur që duhet të mbajnë shënime për të gjitha dëmet në aparatet e amvisërisë, si pasojë e dëmtimeve për shkak të mungesës së rrymës apo ndryshimit të intensitetit të rrymës në mënyrë që pastaj ta padisin këtë ndërmarrje kusarësh që iu ka shkaktuar aq shumë dëme, deri në humbje të jetëve të njerëzve, duke i ikur çdo përgjegjësie. KMDLNj kërkon që të bëhen të gjitha veprimet dhe të ndërrohet operatori që i ka shkaktuar aq shumë dëme Kosovës dhe qytetarëve të saj.
Kusarët e KESCO , bashkë me këta të ZRRE –së duhet të paditen për trajtim të konsumatorëve në baza raciste. KMDLNj –ë kërkon nga Qeveria e Kosovës që të gjejë mënyrën e kompemsimit për bizneset që janë në prag të falimentimit apo që janë të falimentuara ndryshe asnjë zhvillim në Kosovë apo “ ripërtëritje ekonomike “ nuk do të jetë i mundur, pa fuqizimin e bizneseve. Thuaja të gjitha bizneset janë në “ prag të varrit “ për shkak të kufizimeve nga pandemia dhe, tani do të jenë në gjendje edhe më të keqe për shkak të kufizimeve të furnizimit me energji elektrike.
Qeveria e Kosovës dhe minstrja fatkeqe, Artane Rizvanolli duhet të dalin çdo ditë para qytetarëve, të kërkojnë mirkuptimin e tyre dhe të kërkojnë bashkëpunimin se si të tejkalohet kjo krizë më lehtë dhe me një kosto më të lirë dhe jo të propozojnë zgjidhje nga videolojërat.
KMDLNj –ë, dje ishte në Qendrën e Paraburgimit në Mitrovicë të Veriut ku nuk kishte asnjë shenjë se ata po përballen me mungesë të energjisë elektrike sikur që nuk kishte askund agregatë. Kjo është ajo që KMDLNj –ë e ceku më lartë, trajtimi racist dhe diskriminues i qytetarëve të Kosovës, në Kushtetutën e së cilës është garantuar barazia para ligjit, duke e dënuar çfarëdo lloj diskriminimi.